Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve – mes shpresës dhe dëshpërimit

Sot asht Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve. Ulë mbi dysheme, me kurrizin mbështetun për divan, unë e Teuta shohim fotografi televizive të qindra njerzve që ecnin përmes qyteteve ma të mëdha të Kosovës, që kërkonin me ditë fatin e të dashtunve të tyne. Gra të veshuna me të zeza mbanin në mënyrë solemne portrete të zmadhueme të burrave, djemve dhe baballarëve të tyne. Në dhomë jehojnë tingujt e ceremonive mortore, intervista e fjalime, ndërsa flamujt janë ngritë për me kërku të vërtetën dhe drejtësinë prej autoriteteve loale e ndërkombëtare.

Mbas nesh, në murin e odës së ndenjes asht varun nji kornizë me portretet dhe emrat e katërmdhetë djemve që kan humbë jetën gjatë luftës. Pas saj janë vnu trandafilë plastikë, tre të kuq e nji i bardhë. Mes tyne asht dhe burri i Teutës, që dukej i pashëm në kostumin e dhandëris, me xhaketë të kuqe e me kollarë. Në nji tjetër portret ndodhet ai e Teuta, me fustanin e saj të bardhë e të bukur, me tentena, të nusrisë, me flokt e saj kaçurrela të gjata, zbukuru me nji vello e me trandafila të bardhë me xixa. Kujtime të kohëve të lumtuna, kujtime të kohës qi kaluen bashk.

Teuta psherëtin ndërsa pin nji aspirinë tjetër, për me zbutë dhimjen e kokës. Ajo ka vendosë me nejt në shtëpi, e mos me shku në protestë. Eshtnat e të shoqit ishin gjetë para katër vjetve dhe ndihej e lodhun. Ishte lodhë duke mbledhë disa ton speca nji ditë ma herët, nën diellin djegës të gushtit, ndjehej e lodhun prej dhimtës e vujtjes.

Duke shkëputë sytë prej televizorit, ajo u kthye drejt meje e më tha: “Kur burri quhej ende i humbun, kurdo që trokitshin në derë, menojsha: ‘Oh jo, nashta po më sjellin nji lajm të keq’, ose, ‘Oh jo, nashta kanë gjetë diçka’. Ndihesha gjithnji e frikësueme e me stres.” Kjo ndarje mes shpresës se burrin mund ta kishte ende gjall dhe frikës se ai mund të kish dekë, e kish lodhë pa masë atë, ishte e tepërt për t’u durua.

Si Teuta në këtë gjendje kishte edhe plot të tjerë. Gjatë luftës ma tepër se 3000 shqiptarë të Kosovës, pjesa ma e madhe burra, por edhe shumë gra e thmij, u zhdukën në duart e policisë, si dhe forcave paramilitare e ushtarake serbe. Pjesa ma e madhe e tyne nuk u kthynë në shtëpi gjallë. Në fakt, mbetjet mortore të tyne vazhdojnë me u gjetë nëpër varret masive të shpërhapme nëpër Kosovë e Serbi. Gjatë këtyne 15 viteve ekspertët e forenzikës kanë zhvarrosë dhe identifikue mijëra trupa, me qëllimin për t’ia kthye ato familjeve të veta. Megjithate kjo detyrë u ba tepër e vështirë, pasi sërbët kishin futë duart nëpër shumë varre, duke hequn prej tyne trupa apo pjesë trupash, duke djegë kufoma dhe duke u ndërru rrobat për me e vështirësu identifikimin. [1]

E megjithat, u gjendën prova për vrasjet masive dhe krimet e tjera të luftës. Por skuadrat forenzike gjatë ‘identifikimeve etnike sipas kategorive’ neglizhuen identifikimin e identiteteve personale, e për pasoj edhe mjetet që mund t’i jepnin përgjigje familjeve dhe komuniteteve të të zhdukunve. Për këtë arsye anëtarët e këtyne familjeve si dhe të mbijetuemit nisën protestat dhe grevat e uris kundër kërkimit të rrëmujshëm të të dekunve të tyne, e banë thirrje për identifikimin e të tanë kufomave. [2] Zhvarrosjet nisën të bahen gjithnji e ma sistematike, me teknologji të avancueme dhe të sakta, por protestat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, duke i përkujtue njerëzit mbi pikëllimin dhe dhimbjen që kalojnë, prej mospasjes së një varri ku me vnue nji trandafil.

Ndryshe prej atyne që vazhdojnë protestat, Teuta e ka mundësinë tashma me e vizitua varrin e të shoqit, me përkujtu kohën e kalueme bashkë, e me folë me te. Ajo kujton dashninë që patën, humorin e tij dhe dëshirën e tij për ta pa me funde të shkurtna. Me tristim në za, vazhdon: “Por, unë nuk i vishja dhe ai mërzitej”. Pas nji çasti heshtjeje shton me dhimbje: “E tash ndihem keq që nuk i vesha kurrë ato funde për te. Do ishte ndi i lumtun. Nuk e kuptoj pse e kisha kaq problem. Randësi ka morali dhe jo gjatsia e fundit”.

Jemi këtu, ulë, në heshtje, e mbas pak e pyes nëse fakti që tashma e ka varrosë burrin e ka ba me e mbledhë mendjen. Teuta nuk asht e sigurt. “Shokun dhe dhimbjen që ndjeva kur mora vesh për vdekjen e tij nuk e kam kalu hala”. Më thotë që atë kohë Kryqi i kuq pati ngritë nji klinikë të vogël në qendrën kulturore të Krushës, për me informua familjet mbi përpjekjet e tyne për identifikimin e kufomave. Kur u hap fjala se kishte ardhë nji listë me emrat e disa prej trupave që ishin identifikua, Teuta vendosi, jo pa ankth, me shku e me pa vetë nëse gjendesin aty emnat e burrit e të kunatit. Ende kishte nji farë shprese se ata mund të ishin gjall.

Duke më tregu, ajo hyni përsëri në hapsinën e klinikës, ku flet me punonjësit e Kryqit të Kuq. “Ata më pyetën nëse ndihesha mirë dhe unë u thash se po. Më pyetën, ‘A ulesh pak, që të bisedojm? Cilët antar të familjes po kërkon?’

‘Burrin e kunatin’

‘A munesh me na tregu kur ka lindë burri yt, dhe kur ka hupë?’

‘Ka lindë në 22 qershor 1969 dhe ka hupë në mars të ’99-ës.’

Ata u përgjigjën: ‘Na vjen keq, e kemi identifikuar burrin tuaj. Na vjen keq edhe për kunatin, edhe atë e kemi identifikua.’ Më thanë, ‘Duhet ti me u qetësu që të paktën tash munesh me i varrosë familjarët e tu, e se e din çka u ka ndodhë. Tashma nuk ke me u shqetësu mbi fatin e tyne.'”

Duke i afru gjunjt me gjoksin, e largon shikimin prej meje, duke shtua me qetsi: “Në ate minut m’u duk se tavani më ra mbi krye. Nuk ndiva ma gja pas ksaj. Por prej atëherë nuk jam ndi ma mirë. Më dhamb çdo koc i trupit. Kam kto dhimje koke të tmerrshme. Më pyetën, ‘A don me ditë se cilat pjesë të trupit kena mujt me i gjetë e me i identifikue?’ I thash, ‘Po’ e më than, ‘Krahun e djatht e kambën e majt.'”

Ndërsa Teuta tregon imtësinat teknike dhe kshillat praktike që i pat thanë stafi atëherë, m’u duk sikur tavani po na binte prap mbi krye. Këtë radhë bahet fjal për tavanin e odës së saj të ndenjës që na kërcnon me na ra ndërsa ne kajmë bashk duke e përfytyrue skenën.

Në TV, në sfond, kortezhi pasqyron ata që ende shpresojn. Shpresojn me i varrosë të dashmit e tyne, shpresojn me iu lehtësu ca dhimbjet.

Nga: Hanna Kienzler

Përkthimi nga: Armanda Hysa

[1] Për më shumë informacione shih: Amnesty International. 2009. Burying the Past. Ten Years of Impunity For Enforced Disappearances and Abductions in Kosovo. London: Amnesty International. Anderson, Benedict. 1983. Imagined Communities. New York: Verso. Baraybar, Jose, Valerie Brasey, dhe Andrew Zadel. 2007. “The Need for a Centralized and Humanitarian-Based Approach to Missing Persons in Iraq: An Example from Kosovo.” The International Journal of Human Rights 11 (3): 256-274. Centre for Research, Documentation and Publication. 2014. The Road to Justice: Missing Persons in Kosovo from a Policy Standpoint. Prishtina: Centre for Research, Documentation and Publication. Human Rights Watch. 2001. Under Orders: War Crimes in Kosovo. Human Rights Watch. Rosenblatt, Adam. 2015. Digging for the Disappeared. Forensic Science After Atrocity. Stanford: Stanford University Press.

[2] Në fakt shumë pak të dhëna për personat u mblodhën nga të afërmit, ndërsa nuk u treguan të kujdesshëm në mbledhjen e mostrave të kockave e dhëmbëve, që do t’i ndihmonin më vonë për analizën e ADN. Madje disa skuadra forensike i kanë rivarrosur trupat pas autopsisë në varre pa shenjë, disa prej të cilave nuk janë gjetur ende. (Rosenblatt, 2007, 2015; Baraybar, Brasey, & Zadel, 2007).

Share This Post