Në kërkim të ndihmës: nga kuzhina nëpër klinika, nga klinikat nëpër vende të shenjta

Dhimbja e fortë ngadalësoi jetët e shumë prej grave të mbijetuara, i lidhi ato pas divaneve, krijoi marrdhanie të frustrueme mes tyne dhe thmijve dhe shumë punë mbeteshin pa ba. Për me përforcue trupat e tyne të smurë dhe për me qenë në gjendje me ecnë para, këto gra i ripërcaktuan dhimbjet e tyne si probleme shëndetësore e në ktë proces, krijuen hapësina për veprime e ndërveprime të tjera trupore. Ripërcaktimi fillestar zakonisht ndodhte përmes aktiviteteve jospektakolare dhe të padukshme, ndërsa këto gra të Krushës së Madhe dhe Pastaselit përdornin ç’të gjenin para: kuzhinat u kthyen në burim opsionesh të ndryshme ushqimore, me lloj-lloj bimësh qetësuese, shtëpitë u mbushën me kanistra të punueme me dorë, ndërsa kopshtet u kthyen në vende për me qenë të zana, e për pasojë, për t’u shplodhë. Ato hanin thelpinj hudhrash, nga një lugë miell dhe pinin kos, për me ulë tensionin dhe për me heqë dhimbjen e kresë. Ndërsa po priste copash një kokë hudhër, Adelina[1] u drejtue nga unë për me m’shpjegue, “Haj hudhra dhe pi kos çdo mëngjes. Tensioni më ulet menjëherë kështu.” Asaj nuk i pëlqen të marrë ilaçe, pasi është e bindun se efekti i tyne asht i shkurtër dhe munden me sjellë probleme të tjera shëndetësore. Të tjera gra pinin kafe të forta me shërbet, për me ngritë tensionin dhe për me lehtësue tretjen. Nervoza e shqetësimi lehtësoheshin më shum përmes punës së dorës, shëtitjeve rreth shtëpisë dhe përmes punës. Gjatë bisedës Robertina tregon ma me detaje, “kurdo që bahem nervoz, puna m’ndihmon. Ngrihem dhe shkoj në stallë për me mjelë e ushqu lopët. Kurdo që jam tu punue, ndij që stresi dhe frika m’kalojn.”

Punt e dorës i bajshin gratë me u ndi ma pak të stresueme e ma pak të frigueme, pasi veprimet e përsëritshme e të kontrollueme u jepshin nji ndjenjë qëndrushmërie, dhe mbizotrimi mbi kujtimet dhe mendimet e dhimbshme e të pakonrollushme. Në të njajtën koh’, i lejonin atyne të ndanin me të tjerët smundjen përmes veprimtarive që bëjshin pjesë në rendin mbizotrues gjinor, duke u kujdesë për shtëpitë dhe familjet e tyne në rolin e nanave, grave apo vejushave. Gjithsesi këto veprimtari mujshun me pasë edhe pasoja të kundërta, pasi edhe ato mund t’i bajshin nervoz, t’i shqetësojshin, t’u sillshin stres, trishtim e vetmi.

Ma s’parit nisa me e kuptua qito bashkveprim kur nisa me kqyrë e me dashtë punët fine me grep qi katër gra të veja kishin përhapë rreth meje në dysheme. Përderisa po folshim për teknika të ndryshme thurjesh me grep, njena prej gravet e ndërpreu bisedën duke thanë: “do hupshim mendt nëse nuk do kishim mujt me punua artizanat. Ta heq mendjen nga gjanat”. Vjehrra e saj kapi fillin, “Nëse nuk do kishim mujt me punue pundore dhe punën jashtë në oborr, do hupshim mendt. Kam humbë gjithë djemtë dhe burrin. U gjetën veç mbetjet mortore të njanit djalë. ” Ajo ia nisi me qa dhe përsëriti me lot, “Kam varrosë vetëm nji prej djemve të mi. Të tjerët akoma mungojnë.” Artizanati ishte nji teknikë shlodhjeje që i ndihmonte grave mos me “hup mendt e kresë”, por gjithashtu ai u kujtonte humbjet dhe vështirësitë. Duke reflektue mbi përfshirjen e tyne në këto aktivitete, nisën me u shfaqë kujtime të antarëve të familjes të vramë në luftë, e bashkë me k’to edhe mendime për statusin e vet shoqnor si vejusha e nana të pikëllueme.

Meqense k’to simptoma nuk qetësohëshin asnjëher, gratë kqyrshin për mjete shtesë me i kontrollua ato. Dhimbjet afatgjata i çuen ato me kombinua dhe negociua elementë nga specialistë dhe tradita të ndryshme mjekësore. Vendet e para të ishin zakonisht klinikat publike ose private të mjekve të përgjithshëm, ku shpresonin me marrë qetësues dhe “pilula qetësuese” për dhimbjet e tyne të shkaktueme nga nervoza dhe mërzitnia. Përderisa Lorida gaditej për përvjetorin e vdekjes së burrit të saj, ajo nisi me ndie një trishtim dhe nervozizëm të pakontrollueshëm, saqë kishte shkue me u vizitua në një nga mjekët e fshatit, për me ba një injeksion për t’u qetësua. Me dëshpërim në za, ajo më tha: “Asgja, asgja, asgja nuk funksionon për mu! Munohem me e heq nervozën nga trupi duke qa. Por asgja nuk ndihmon derisa të shkoj te mjeku dhe të marr disa pika në ujë ose një injeksion.” Për me marrë diagnoza ma specifike dhe, si rrjedhojë, një kornizë shumë të ndryshme referimi që lejonte shpërndarjen e ilaçeve më të forta, gratë nisën me kërkua specialistë të tjerë, duke filluar nga kardiologë e onkologë, deri te neurologë dhe psikiatër, si dhe vizituan laboratorë për me kërkua analiza gjaku dhe rreze x.

Në rastet kur dhimbjet e tyne nuk mujshin me u shpjegu lehtë e qartë e me i ndihmue atyne dhe familjeve të tyne me ecë para, disa gra nisën më iu drejtua shëruesve tradicionalë për me përjashtua ose konfirmua dyndjet e ndjenjave e përjetimeve të liga përmes msyshit çsynit të keq] ose t’ bomes çmagji] dhe nisën me vizitua vendet e shenjta për me u lutë dhe me lehtësua dhimbjet, shqetësimet, pikëllimin dhe stresin e tyne fizik. Më thanë: “Para se me shkua në tyrbe ose teqe[2], ndihem shumë e dobët dhe pasi hy aty ndihem shumë ma e fortë. Ndihem disi e lehtësueme, e qetë ”. Në të njajtën kohë, kishte dhe nji farë skepticizmi, kur gratë diskutonin nëse kishte me të vërtetë fuqi shëruese në vendet e adhurimit dhe magjisë. “Ndoshta nuk funksionon fare,” mendoi Vjosa dhe më pas reflektoi, “por, kur beson se po, dhimbja zhduket. Mbi të gjitha, Zoti i krijoi ato vende, kështu që edhe unë mund t’i përdor “.

Kërkimi i ndihmës nga specialistë dhe tradita të ndryshme njëkohësisht nuk ishte diçka që gratë e perceptonin si kontradiktore ose problematike në vetvete. Në vend të kësaj, pikërisht njëkohësia u konsiderua si mënyrë e përshtatshme për me ndërmjetësua mes simptomave emocionale dhe fizike dhe sëmundjeve socio-politike. Një grua në moshë mesatare nga Pastasel më shpjegoi këtë duke përshkruar rrugën e saj në kërkim të shëndetit.

“Kisha dhimbje të forta koke dhe shkova te nji shërues i cili, ma së pari, ma mati kokën me pa nëse ishte e ndame dhe pastaj ma lidhi një shall rreth saj. Ajo ma lidhi nyjë shallin mbi krye, duke vendosur tre lugë në nyjë. Më tej ajo filloi ta shtrembërojë nyjën në mënyrë që të shtrëngonte shallin. Pas çdo sythi hiqte një lugë. Pasi mbaroi me trajtimin, shkova te mjeku. Mjeku më kontrolloi, më analizoi gjakun, më bëri një injeksion dhe më pyeti pse ndihesha nervoz. Nuk mund t’i tregoja pse ndjehesha nervoz pasi nuk më vinte në mend asnjë konflikt në familjen time. Pas trajtimit të shëruesit dhe injeksionit të mjekut u ndjeva shumë më mirë. Duhet me shkua andej-këndej për me u kurua tamam.”

Kjo skicë nxjerr në pah nji mënyrë krijuese sesi k’to gra përballen me kriza të befta, duke kombinua ligjërime, shpjegime dhe praktika të larmishme dhe konkuruese mjekësore, të cilat së bashku merreshin edhe me trupin (duke mbyllur një çarje në kafkë), edhe me mendjen (nga administrimi i ilaçeve për qetësimin e nervave). Ky pluralizëm në interpretimin e simptomave dhe, lidhur me këtë, në kërkim të shënrimit natyrisht nuk është i veçantë për kontekstin kosovar. Pothuajse kudo në botë, është treguar se trupi dhe vuajtja janë konceptuar në mënyra të shumëfishta ndërmjetësuese midis përvojave trupore, rendit moral lokal, institucioneve dhe ideologjive supra-lokale. Si pasojë, të gjithë ne, në një mënyrë apo në një tjetër, përdorim forma të shumllojshme për të trajtuar dhimbjet dhe mundimet tona. Ajo që mbetet më pak e kuptuar është se kush dhe çfarë i jep formë udhëtimeve shëndetësore dhe si këto udhëtime dhe ndërveprime personale ndikojnë në interpretimet politike dhe morale dhe kuptimet simptomë-folurit.

Nga: Hanna Kienzler

Përkthimi nga: Armanda Hysa

[1] Të gjithë emrat janë pseudonime.

[2] Teqe është një ndërtesë kulti për grumbullimet e rendeve sufiste. Tyrbe është varr – një mauzoleum relativisht i vogël ku varrosen shehlerët apo persona të tjerë karizmatikë.

Share This Post