
“Tash e di qysh bahen filmat”. Me jetue përmes tmerreve të luftës
“Kur menoj për luftën, imagjinoj se nuk ka ndodhë vërtetë”, më thot Valbona në nji prej vizitave të mia të shpeshta në shtëpin e familjes së saj. “Duket si nji film. Du me thanë, tash e di qysh bahen filmat. Pashë shtëpi tue u djegë, lopë tue pëllitë furishëm nëpër stalla, njerëz që vrapojshin…” Valbona na hedh kafen dhe dhez Marlboron, tue ndërpre parathanien e saj ogurzezë, dhe ulet në nji shilte ngjyrë kafe të hapun, vnue përgjatë murit të veshun me dru të odës bosh të ndenjës.[1]
Valbona përkulet para, mbështet brrylat në gjunj, thith thellë cigarjen tue nxjerrë tymin e dendun nëpër hundë, sikur po përgatitej për monolog. “Ishte mars 1999 kur kunati njoftoi se ishte koha me u fshehë në kodrat përreth Krushës. Serbët tashma ishin në fshat tue djegë e tue shtënë mbi shtëpit ë fshatit. Burri im nuk ishte rrotull dhe unë nuk kisha asnjë mënyrë me e arritë, prandaj mora çantat dhe dy thmijët tanë të vegjël.” Tue e pasë parashikue arratinë, ajo ishte përgatitë mirë tue paketu nji çantë ndihme të shpejtë, gjylpana të mëdha dhe të vogla injeksioni, një litër raki, pak fill, tel dhe pincë. Në kodra u bashkuen me shumë burra, gra dhe fëmijë të tjerë nga Krusha dhe fshatrat përreth të fshehun në errësirë, tue u përpjekë me i shpëtue dhunës dhe vdekjes që po shpalosej ma poshtë, në fshatin e tyne. Ndërkohë, forcat policore dhe ushtarake sërbe nisën me iu afrue nga drejtimi i fshatrave Nagavc dhe Celinë. Tanket ishin vendosë në majë të kodrave përreth, tue shti mbi zonat e fshatit dhe kënetës. Në të njajtën kohë, ushtarët dhe paramilitarët ngacmuen dhe vranën disa nga banorët që kishin mbetë aty, plaçkitën shtëpitë dhe u vunë flakën pasunisë së tyne.[2]
Me zhgënjim, Valbona kujton se sa e zemërueme kishte qenë me burrin e saj, pse e kishte braktisë kështu në kodra, mes bashkëfshatarëve dhe të huajve. Ajo rrëfen, “Menova, ‘ai thjesht u dasht me dekë atje poshtë!'” Kur ai ma në fund u shfaq në pyll, u grindën, ndërsa ajo njoftoi se do të shkonte prap në shtëpi. Tue e ngritë zanin, ajo kujton bisedën: “Ai vikati, ‘a je çmendë?! Askush nuk asht në fshat dhe shtëpitë po digjen!’ Por unë isha e vendosun dhe u përgjigja me kokëfortësi, ‘Nëse duhet me dekë, ma mirë me dekë në shtëpinë time sesa këtu. Nëse m’duhet me dekë vetëm, le të vdes vetëm.” Pas nji grindjeje të gjatë, ajo arriti me e bindë atë dhe pjesën tjetër të familjes së gjanë me e ndjekë në rrugën e kthimit për në kompleksin e familjes. Ndërsa po errej, ata u fshehën, si hajna, në dhomat e tyne.
“Kur flinim shtriheshim ngat njani-tjetrit si sardele”, kujton ajo dy netët e para në shtëpi. “Papritmas, nigjuem ushtarë që përplasshin portën.” – tregon tue goditë me grushta në dysheme tue thirrë, “Bang, bang, bang!” pastaj ul zanin e me pëshpërimë vazhdon, “Asnji nuk pipëtiu. Por krismat u ashpërsuen dhe unë i pyeta pleqtë: ‘A duhet me ua hap portën?’ U shqetësova se nëse do u zemërojshin, kishin mujtë me shkelmue portën, me kontrollue vendin dhe me na vra. Pleqtë menun se nuk ishte ide e mirë dhe më këshilluen mos me e hapë portën. Ma në fund, ushtarët u larguen.” Valbona më thotë se fëmijët po qajshin gjatë gjithë natës, tue mos e lanë me fjetë. Në vend të kësaj, ajo u end nëpër shtëpi, hipi lart për me pa jashtë prej nji prej dritareve të vogla të çatisë. Krusha ishte tue u djegë, ndërsa në katin e poshtëm frika po përhapej mes burrave. Ata ishin të vetëdijshëm se kishin me qenë të parët që kishin me u ekzekutue, nëse do gjendeshim nga trupat serbe. Nji nga nji, ata u larguen me u fsheë edhe në stallë, midis lopëve, ndërsa gratë dhe thmijët u fshehën në bodrum.
Në orët e hershme të mëngjesit, Valbona shtyu nji karrige në penxheren e banjës dhe pa që sërbët kishin arritë me u futë në kompleks. “U frigova fort, tue mendue, ‘ça do na bajnë nëse na gjejnë? Me nji llaf, në bodrum kishim gra të reja dhe vajza të bukura”. Valbona e kishte mbledhë veten dhe kishte vendosë me u përballë me ushtarët. “Sërbët pyetën, ‘Ça po ban këtu?’ Ata gjithashtu pyetën nëse kishte burra përreth. Nuk dija ça me iu përgjigjë. Nëse do thojsha ‘po’, ata do t’i kishin qëllue të tanë. Nëse do thojsha ‘jo’, ata do kërkojshin e do i qëllojshin, edhe mue dhe thmijët e mi.” Vendime të pamujtuna për me u marrë.
Valbona vendosi me ba sikur nuk e kuptojke sërbishten derisa e kaploi frika dhe e detyroi me hy në bisedë. Tue më pa në sy dhe me pasion në za, më tregon se si ushtari i kishte drejtue automatikun. “Ata pyetën nëse kishte njerëz të tjerë përreth. Unë i thashë: ‘Po, ka gra dhe thmijë në bodrum.’ Kunata më nigjoi dhe pëshpëriti nga nji çarje në derë se burri i saj kishte mbetë me ta. Nuk dija çka me ba dhe nihesha si tradhtare. Unë u thashë atyne se në fakt ishte nji burrë poshtë. Ata më kërkuen me e sjellë nalt. Me tmerr pashë që kunati doli jashtë, i ndjekun prej djalit tem të vogël. Pikërisht kur sërbët ishin gati me e marrë kunatin, mora djalin tue e shtrëngue fort në krahë. Ai nisi me u dridhë nga dhimbja. Sërbët pyetën: ‘Çka asht puna e tij?’
‘Ka frikë.’ iu përgjigja
‘Nga çfarë ka frikë?’
‘Se ke me e vra mixhën e tij.’
‘Mos u frikëso’ thanë dhe kërkuen para nga kunati im”.
Ndërsa negocionte me ushtarët, ajo durojte frikën dhe ngacmimet, derisa u siguroi ushtarëve paratë e kërkuara dhe bizhuteritë që mblodhi “si lypëse” nga gratë në bodrum. Gjatë gjithë ditës, vinin e iknin ushtarë të tjerë sërbë, tue kërkue para dhe stoli, ndërsa Valbona u përpoq me ruajtë nji farë normaliteti formal, tue pjekë bukë për me ushqye familjen. “Dheza nji zjarr në oborr për me pjekë bukë për të gjithë. Përgatita një tenxhere të madhe metalike me përshesh me qumështpër burrat. Masanej po baja sikur ushqejsha lopët. Mrena në stallë nisa me ua shërbye përsheshin burrave, por burri im më tha se nuk munej me hangër.
‘Haje’, i thashë.
Ai u përgjigj: ‘Nuk munem. Për ditë të tana po mbaj gurabijet tuja në xhep dhe nuk munj me i hangër. Nuk mund me hangër nëse nuk muj me mbrojtë gruan dhe fëmijët e mi.”
Së shpejti erdhi momenti kur nuk kishte ma pare, nuk kishte ma gjerdana, nuk kishte ma vathë dhe nuk kishte ma kuptim me pjekë ma buk. Valbona mori vendimin e vështirë tue I kërkue të tanve me dalë prej vendit të fshehjes, në oborr. “Sapo dolëm jashtë të gjithë, sërbët i ndanë gratë nga burrat. Burrat i rreshtuen pranë murit dhe isha e sigurt se kishin me i ekzekutue. ” Valbona naletpak sa me dhezë nji cigare tjetër dhe pastaj vazhdon: “Por asgja nga këto nuk ndodhi. Në vend të kësaj, ata urdhëruen: ‘Merrni kamionët, vendosni peshqirë të bardhë në xham dhe shkoni!’ ”
Nxjerr frymë thellë…
“Tash e di si bahen filmat …” Ndërsa nigjojsha Valbonën, padashur kisha mbajtë frymën tue pritë tortura ose nji pellg gjaku në çdo kthesë narrative. Më kishte kapluar mënyra tronditëse me të cilën imtësia e rutinave të tyne të përditshme zhytej në skenat e paqartësisë, dhunës dhe terrorit, se si familja, zënkat shtëpiake, shtrojat e shtratit të fëmijëve, pjekja e bukës dhe ushqimi i familjes futej në mënyrë të çoroditur në një rrjetë tmerri me këta njerëz që u detyruan të bënin bixhoz me jetët e tyne. Dhe, ishte vërtetë bixhoz. Vendimi i Valbonës me e bindë familjen ta linte vendin e fshehjes në kodra dhe me u kthye në banesë ishte shpëtues. Vetëm dy ditë ma vonë, në 26 Mars, ushtarët dhe paramilitarët sërb zbuluan midis 200-600 civilë çnumrat kontestohen) të fshehur në kodrat dhe kënetën rreth Krushës. Ata i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, u grabitën grave para dhe stoli dhe i dërguan në xhaminë e fshatit. Nga ana tjetër, burrat u urdhëruan me u shtri me fëtyrë për tokë, ku paramilitarët që mbajshin shkopinj ecshin lart e poshtë kolonës tue vu në shenjë individë të caktuem. Ata që ishin vu në shenjë u morën dhe nuk u panë ma kurrë.[3]
Autori: Hanna Kienzler
Përkthimi nga: Armanda Hysa
[1] Shilte: Dyshek i hollë për me u ulë
[2] International Crisis Group. (2000). Reality demands. Documenting violations of international humanitarian law in Kosovo 1999. Brussels: International Crisis Group.
[3] International Crisis Group. (2000). Reality demands. Documenting violations of international humanitarian law in Kosovo 1999. Brussels: International Crisis Group.
Leave A Comment