
Loja e së Vërtetës, ose si të binden gratë e fshatit të kërkojnë kujdes shëndetësor mendor
“Gratë që vijnë nga zonat rurale nuk dinë si t’ua shpjegojnë problemet e tyre shëndetësore psikiatërve si unë. Kur u them se problemet e tyre kanë bazë psikologjike, ato thonë: ‘Pse? Kam kushte të mira jetese”. Ndërsa po rregullonte kravatën e tij, psikiatri arsyetonte se meqenëse jeta e grave në fshatrat kosovare ishte kryesisht për të përmbushur nevojat themelore, atyre u mungon një kuptim i rafinuar i emocioneve dhe dhimbjeve të tyre psikologjike. Me pak përçmim në zë, ai vazhdoi, “Ato mendojnë se me pasë për të ngrënë dhe me psë kushte të mira jetese është gjithçka që u nevojitet …” dhe e thekson këtë pikë duke thënë, “Nuk është puna vetëm që nuk munden të flasin për shëndetin mendor, por madje e konsiderojnë të turpshme këtë gjë. Ato nuk e dinë që edhe gruaja e Bill Clinton shkon te psikologu. ”
Kjo pikëpamje, se gratë nuk ishin në gjendje të merreshin me shëndetin e tyre mendor, ose të flisnin siç duhet për të, nuk ishte e pazakonshme në rrethin e specialistëve të shëndetit mendor dhe mjekëve. “Gratë këtu në Kosovë e stigmatizojnë sëmundjen mendore”, më tha një psikolog, ndërsa shpjegonte se pse gratë e fshatit refuzonin t’u drejtoheshin profesionistëve të shëndetit mendor. Ai e konsiderointe stigmën të lidhur me bindjen e grave se psikologët e psikiatrët merren vetëm me njerëz “të çmendur”, që “kishin humbur mendjen”, ose që silleshin si “lunatikë” – domethënë, njerëz që shfaqnin karakteristika që këto gra nuk i kishin. Si pasojë, më thanë, gratë, veçanërisht ato nga zonat rurale, përgojonin njerëzit që frekuentonin shëndetin mendor dhe shërbimet psikiatrike, duke folur për ta nën zë. Këta punonjës i lidhnin të tilla sjellje me “personalitetet primitive” të grave të fshatit, “injorancën” dhe “arsimimin e ulët”.
Mungesa e arsimimit të grave dhe përpjekjet për të shmangur klinikat e psikiatërve e të psikologëve besohej se mund të shpjegojnë prirjen e tyre për të shprehur problemet psikologjike më shumë përmes dhimbjeve trupore, sesa përmes emocioneve. Një psikiatër do të pohonte, “Ato nuk mund të bëjnë ndryshe, përve se të somatizojnë problemet e tyre psikologjike.” Ngjashëm, një mjeke, në një nga bisedat tona të shumta, duke ngritur zërin, do të deklaronte: “Nëse gratë e fshatit do të ishin më të arsimuara, ato do të dinin se si të pajtoheshin me problemet e tyre psikologjike”. Me një psherëtimë të thellë vazhdoi, “ato nuk janë të shkolluara dhe nuk dinë si t’i shprehin problemet, përveçse përmes trupit”. Mjekët si ajo ishin të frustruar sidomos prej këtyre koncepteve të gabuara, sepse ndikonin në ndërlikimin e përcaktimit të diagnozës. Një tjetër doktor më ftoi të mendoja duke përdorur veten si shembull: “Nëse nuk do të besoje se vuan nga një sëmundje mendore, a do të pranoje rekomandim për vizitë psikiatrike? Me siguri që jo. Pra, si mund ta shohësh, ato përpiqen të më bindin se problemet e tyre janë fizike. Dhe, a e di se çfarë kërkojnë prej meje?” Para se t’i përgjigjesha pyetjes, ai vazhdoi duke thënë: “Ato kërkojnë që të shihen nga specialistë si kardiologët dhe onkologët dhe që testet e gjakut dhe rrezet x të bëhen në laboratorë. Pra thjesht nuk besojnë se kanë probleme të shëndetit mendor. ”
Se farë do të thotë kjo “lojë e së vërtetës”, ilustrohet në shembullin vijues, në të cilin një mjeke, që punon në një klinikë rurale, më tregon, “Pata një rast, kur një grua tha se kishte dhimbje koke, dhimbje kraharori dhe dhimbje stomaku. Ajo nuk mund të flinte natën. I kishte hyrë frika se mos vuante nga kanceri. ” Mjekja vazhdoi duke thënë, “Gruaja ishte e bindur se nuk kishte asgjë që nuk shkonte me trupin e saj. Por, pa marrë parasysh se çfarë i thoja, nuk më besonte. Kështu që, më duhej ta bindja me analiza dhe rreze x se nuk kishte sëmundje fizike dhe se nuk ka asgjë të keqe në trup. Porse, ajo ishte e fiksuar me idenë e tumorit. Për shembull, erdhi një herë të ankohej për dhimbje koke dhe ishte e bindur se kishte tumor në kokë. Kur i thashë se jo, nuk ka gjë të tillë, pasi simptomat nuk përputheshin, ajo u ndje e lehtësuar për pak kohë. Por, javën tjetër erdhi sërish duke u ankuar për të njëjtat gjëra. Pastaj bëri skaner koke dhe erdhi sërish për të më dhënë të drejtë. E njëjta gjë ndodhi kur nisi të ankohet për dhimbje gjoksi, duke besuar se vuante nga kanceri i gjirit. E dërgova për të bërë mamografi dhe ultratinguj. Vetëm atëherë u bind se ishte e shëndetshme”. Duke vështruar kodrat me vreshta nga dritarja, ajo psherëtiu dhe përfundoi, “Kështu që, në varësi të pacientit, duhet me gjetë mënyra të ndryshme për t’i bindur këto gra.”
Në sipërfaqe, “loja e së vërtetës” i leverdiste më shumë profesionistëve të shëndetit. Megjithatë, po ta shihje më nga afër “lojën”, do të kuptoje se se ishte e manipuluar dhe se koncepti i “fituesve” dhe “humbësve” nuk kishte kuptim. Loja ishte sajuar e tillë që fshihte aspektet kryesore të “së vërtetës”, veçanërisht ato që i takonin dimensionit politik të shëndetit dhe shërbimit shëndetësor. Për të shpjeguar këtëi duhet hedhur një sy i shpejtë zhvillimit të sistemit shëndetësor. Në kohën e hulumtimit tim, sistemi kosovar i shëndetit mendor ishte aq i pafinancuar, me mungesa në staf dhe në shumë mënyra jofunksional, saqë një rekomandim nuk premtonte shumë për kujdes ose shërim adekuat. Vetëm dy përqind e buxhetit shëndetësor, edhe kështu të nënfinancuar, i dedikohej shëndetit mendor, dhe kishte vetëm tetë Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor që mbulonin përkatësisht një popullsi prej rreth 250,000 banorësh. Edhe në këto qendra kishte mungesë personeli, me vetëm rreth 1.9 psikiatër, 0.3 psikologë, 8.8 infermierë psikiatër dhe 0.6 punonjës socialë për 1000000 banorë.[1] Për më tepër, mjekimi shpesh mungonte dhe, nëse kishte, ai vinte nga donacione nga vende të ndryshme të Evropës. Kur vjetërohej, kishte efekte anësore të pakëndshme. Kur mjekimet mungonin në këto qendra, pacientët duhej ta blinin vetë privatisht.. Si pasojë, trajtimi afatgjatë dhe kujdesi pasues ishin thuajse të pamundura për t’u arritur në një kontekst të karakterizuar nga mungesa të mëdha dhe nga mungesa e vullnetit politik.
Po t’i mbajmë parasyshë këto faktorë, përpjekjet e grave për të shmangur sektorin e shëndetit mendor shfaqen në një dritë tjetër. Është e vetëkuptueshme që “mentaliteti primitiv” nuk kishte të bënte me të dhe se arsyetimet paternaliste në lidhje me keqkuptimet, mungesën e arsimimit dhe qëndrimet stigmatizuese fshihnin disa nga arsyet themelore pse gratë refuzonin të vizitonin profesionistët e shëndetit mendor. Në vend të kësaj, do të thoja që kërkesat e tyre ishin kryesisht reagime çtë kuptueshme ndaj dobësive sistemike. Bëhet e dukshme që, për ta luajtur drejt këtë “lojë të së vërtetës”, duhet luajtur me karta të hapura, ku mungesa e burimeve, mungesa e personelit profesional, tërheqja e ndihmës humanitare dhe e zhvillimit dhe mungesa e ndihmës politike të kuptohen si pengesat kryesore për kujdesin adekuat të shëndetit mendor. E konsideroj thelbësore që qeveria ta marrë seriozisht shëndetin mendor, duke investuar siç duhet, në mënyrë që të dyja palët çgratë dhe mjekët të mos shfaqen si humbës të lojës.
Autori: Hanna Kienzler
Përkthimi nga: Armanda Hysa
Mirënjohje: Do të doja të falënderoja sinqerisht anëtarët e Grupit të Kërkimit të Kulturës, Mjekësisë dhe Pushtetit për mendimet e tyre të vlefshme dhe Sally Eales për redaktimin e kësaj pjese.
[1] Në të njëjtën kohë, Gjermania kishte 11.8 psikiatër, 51.5 psikologë, 52 infermierë psikiatër dhe 477 punonjës socialë për 1000000 banorë (burimi www.who.int)
Leave A Comment