
Vejusha e luftës: Margjinale – Të padisiplinuara – Ikonike
Margjinale dhe në nevojë
Gratë që humbën burrat gjatë Luftës së Kosovës u perceptuan si të gjendura në një hapësirë të ndërmjetme e të pasigurt. Ato nuk mund të trajtoheshin as si gra të martuara dhe as si vejusha të zakonshme. Në fund të luftës, nuk kishte vend të qartë për to, pasi rolet po ndryshonin, ndërsa komunitetet përpiqeshin të kuptonin praninë e tyre. Identitetet e këtyre grave u perceptuan se kishin nevojë për riformulim përmes gjuhës dhe diskurseve, për t’u bërë të kuptueshme për të tjerët. Kornizat e reja të identitetit i portretizojnë vejushat e luftës si ‘margjinale dhe në nevojë’, ‘të padisiplinuara’ dhe ‘ikonike’. Siç do të tregoj në vijim, stereotipet gjinore u shfaqën pikërisht përmes proceseve të tilla formuluese, pasi gratë u bënë njëkohësisht të njohura dhe të menaxhueshme nga komunitetet e tyre dhe u kthyen në instrumente me të cilat u bë e mundur të komentoheshin dhe vlerësoheshin proceset shoqërore në të tashmen e këputur të pasluftës.
Fillimisht nisa të joshesha nga imazhi i vejushës së luftës si “viktimë e mbijetuar”. Ishte një imazh i luajtur shpesh në mjediset mediatike, si dhe ligjërimet e të drejtave të njeriut. Amnesty International (2009) për shembull shkruante, “ndërsa viktimat e zhdukjeve me forcë dhe rrëmbimeve në kontekstin e konfliktit dhe periudhën pas janë kryesisht meshkuj, viktimat e mbijetuara janë më shpesh gra” (theksi im). Raporti vazhdon të shpjegojë se çfarë do të thotë të jesh viktimë e tillë: “Për shumë, humbja e anëtarit të familjes ka patur efekte anësore sa i përket rrethanave shoqërore dhe ekonomike.” Duket se çështja e humbjes, mungesës dhe nevojës i veçon këto gra dhe i bën ato të dukshme.
Diskurse të ngjashme u prodhuan nga agjencitë e ndihmës humanitare që veprojnë në Kosovë, të cilat i portretizonin vejushat e luftës si në nevojë, të margjinalizuara dhe madje të vdekura nga ana shoqërore. Koordinatorja e projektit të një organizate zhvillimi më shpjegonte se projekti i saj u përqëndrua më shumë tek gratë e veja të luftës, sesa tek gratë në nevojë në përgjithësi, pasi të parat merrnin “më pak mbështetje nga komuniteti” dhe e kishin të vështirë të përballeshin me realitetin e tyre të ri. Ajo vazhdoi të sqaronte, “në komunitetet shqiptare burri është përgjegjës për shumë gjëra. Është ai që fiton të ardhura për familjen, përpiqet ta mbajë atë bashkë etj. ” Sipas saj, gratë e veja nuk kishin mësuar kurrë të merrnin fatin në dorë dhe kishin “ngecur”, duke pritur që dikush tjetër të gjeneronte të ardhura dhe të siguronte familjet e tyre. Në mënyrë të ngjashme, një koordinator i një projekti mikrokredie për vejushat e luftës do të më tregonte në disa raste për paaftësinë fillestare të grave për të marrë iniciativë dhe për të marrë vendime. “Ato nuk dinin asgjë për huatë, pasi kurrë nuk i ishte dashur të merrnin një të tillë para luftës. Burrat i bënin këto gjëra. Në atë kohë, ato nuk dinin as çfarë të bënin me paratë, nuk dinin se çfarë pune të bënin.”
Imazhi stereotipik i “vejushës kosovare të luftës” duket se ishte ai i njeriut që njeh pak, nuk ka burime dhe ide, jeton i shtypur nga kujtimet e burrit, dhe rri mbyllur në banesë, pa qenë i gatshëm për t’u shfaqur në publik. Bota e tyre shpesh portretizohej si e zymtë, e kufizuar dhe e shtypur. Një ish-punonjës i Qendrës për Kujdesin dhe Mbrojtjen Familjare tregon se të vejat e luftës fillimisht ishin ndjerë sitë lëna jashtë çdo strukture shoqërore të disponueshme dhe po bënin një jetë në midis, as këtu dhe as atje, as midis të gjallëve dhe as midis të vdekurve. Ajo më risolli diskurset e grave kur tha, “‘ne mbetëm në mes të askundit. Nëse do të ishim arsimuar, do të kishim punë, do të mund t’i mbanim fëmijët tanë, do t’i edukonim. Vetëm hidhërimi për burrin do të mbetej. Tani ballafaqohemi me të gjitha llojet e problemeve, si për të mbajtur familjen bashkë, si për të edukuar fëmijët, si për t’i ushqyer ata.” Me këto ajo donte të thoshte që hidhërimi në vetvete do të ishte i durueshëm nëse nuk do të kishte pasiguri shoqërore, ekonomike dhe politike, si dhe nëse vetë gratë nuk do të ishin kaq pasive për të ndryshuar situatën e vet.
Për vejushat e luftës, ndryshimi i situatës do të kërkonte shkëputje nga mënyrat tradicionale të të menduarit dhe të vepruarit. Megjithatë, punonjësit e ndihmës humanitare nuk ishin asnjëherë të sigurt se kjo qe diçka që këto gra dëshironin, apo nësë ato qenë të kënaqura me rolin si “nevojtare” dhe “margjinale”. Gjatë një interviste, një nga këto punonjëse do më thoshte, “e di, shoh jetën time dhe atë të tyre dhe mendoj, ‘oh, më vjen shumë keq për to.’ Duket sikur këto vejusha jetojnë në një botë kaq të vogël …. Gjithnjë pyes veten, ‘nëse do të mundin ta kapërcejnë atë botë e të shohin përtej saj.’ E megjithatë, nuk jam e sigurt nëse do të dinin çfarë të bëjnë me të.” Punonjësja pra, po sugjeron se këto gra nuk kanë provuar kurrë “liri” – lirinë e vendimmarrjes, lirinë e lëvizjes, lirinë për të eksploruar botën. Sipas saj, ato ishin mbërthyer në limbo, me një dëshirë të madhe për liri, por pa guxuar kurrë për të.
Punonjësit e ndihmës humanitare shpesh ndiheshin të frustruar me letargjinë dhe dobësinë e vejushave. Në të njëjtën kohë, pikërisht nocionet e margjinalitetit, pafuqisë dhe nevojës justifikonin zbatimin e projekteve të tyre të larmishme duke filluar nga prodhimi bujqësor, fushatat arsimore, programet e të drejtave të njeriut dhe të grave, sigurimi i shëndetit, etj. Pra, i lejonin që edhe të krijojnë empati e të ndihmojnë grate e veja, edhe të sigurojnë punësim për veten e tyre brenda kontekstit të rritjes së konkurrencës për projektet e ndihmës në sektorin humanitar. Inkuadrimi në projekte humanitare, pra, funksiononte në dy mënyra – u lejonte grave të veja të tërhiqnin vëmendje dhe ndihmë, ndërkohë që i mundësonte të tjerëve të rrisnin profilin e tyre, të siguronin punë dhe të bëheshin të pazëvendësueshëm.
Të padisiplinuara
Në fshatrat ku kam kryer hulumtimin, Krushë dhe Pastasel, komunitetet u përballën me kategorinë e re shoqërore “vejushë lufte” në nivele të shumëfishta. Fillimisht ishte e paqartë se ku duhet të jetonin gratë – me familjet e tyre të lindjes, apo me vjehrrinë – dhe çfarë do të ndodhte me pasardhësit e tyre. Në shumë raste, të drejtat e vjehrrisë shtriheshin përtej së ligjshmes, në mënyrë që të kishin mundësi të pretendonin “pronësinë” mbi fëmijët e djemve të tyre të ndjerë. Brenda familjeve, konfliktet u ngritën rreth (ështjes se kujt i përkasin fëmijët, grave apo vjehrrisë dhe, per pasojë, nëse duhej të respektonin normat zakonore, apo ligjin shtetëror. Normat zakonore në Kosovë janë të tilla që pasardhësit, veçanërisht djemtë, i përkasin familjes së babait, pasi konsiderohen garantues për ruajtjen e pratrilinearitetit, që njihet si “linja e gjakut”. Pavarësisht kësaj ekzistonte frika se familjarët nga ana e nënës, pra “linja e qumështit” mund të ushtronin ndikim më të madh nga sa kishin të drejtë dhe t’i pretendonin fëmijët jetimë për vete – diçka që mund të ndodhte poo të bazoheshin në ligjin e shtetit.
Lufta për gratë dhe fëmijët u bë e prekshme për mua në takimin me Nitën[1], një zonjë e moshuar që kishte humbur dy djemtë në luftë. Ndërsa po pinim kafe me një grup grashë të veja, ajo u kthye nga unë duke thënë, “këtë muaj e kam pasur pisk punën me sheqerin çdiabetin] dhe stresin”. Ajo e ngriti zërin që të tjerat ta dëgjonin, “nusja që jeton me burrin tjetër në Prishtinë ishte këtu me fëmijët. Qëndruan vetëm një natë, vetëm një natë! ” dhe nisi të bërtasë, “e dini, fëmijët e saj e kanë vendin këtu! Ata janë fëmijët e djalit tim të vrarë dhe të kësaj familjeje! Fillimisht i mori te familja e vet dhe më vonë u martua përsëri. Sa turp!” Vendimi i nuses së Nitës për të lënë familjen e burrit nuk ishte i zakonshëm. Në fakt, shumica e vejushave në Krushë dhe Pastasel kishin mbetur me vjehrrinë nga frika e humbjes së fëmijëve, si dhe për arsye më pragmatike në lidhje me trashëgiminë e pasurisë.
Frika e humbjes së fëmijëve nuk ishte e pabazë. Në disa raste, vjehrria përdorte kërcënimet, shantazhet dhe dhunën në mënyrë që të përforconin lidhjet me fëmijët e djemve të tyre të ndjerë. Disa punonjës së ndihmës humanitare dhe disa fshatarë më thanë se, menjëherë pas luftës, shumë nga gratë e reja të veja kishin marrë ultimatum nga vjehrria: brenda një numri të caktuar ditësh do u duhej të vendosnin nëse do vazhdonin të jetonin me ta, ose të ktheheshin te prindërit, por pa fëmijët. Për shumë vejusha dukej se qëndrimi me vjehrrinë nuk kishte zgjedhje, pasi kurrë nuk do mund t’i linin fëmijët pas. Njëkohësisht, kjo ishte ftesë për dhunë të vazhdueshme dhe shtypje: vëllezërit e të ndjerëve shpesh ndjeheshin se kishin të drejtë të kontrollonin ku ndodheshin apo lëviznin kunatat e veja, duke kufizuar mundësitë e tyre për të lënë familjen, për të punuar me organizata humanitare dhe për të fituar të ardhura. Shpesh kam qenë dëshmitare që gratë duhej të kërkonin nga vjehrria leje për të dalë, gjë që në disa raste nuk u jepej.
Vejushat e reja veçanërisht do të kontrolloheshin më fort, sa i përket seksualitetit, pra, pastërtisë së familjes. Disa nga këto përplasje mbi kontrollin ishin thellësisht poshtëruese dhe lënduese për gratë. Një mbrëmje, Lorinda ishte në humor për të shfryrë zhgënjimet dhe zemërimin e saj. Pasi nxori djalin nga dhoma për të patur më shumë privatësi, mori dy filxhanë kafeje për ne, ndezi një cigare dhe nisi të flasë për ngacmimet dhe dhunën që ajo dhe fëmijët e saj kalonin çdo ditë nga kunati i saj që prej vdekjes së burrit. “Kunati im asht shumë i keq”, filloi ajo. “Ai e mori djalin tim ve(, i dha 50 cent ose 1 euro dhe i tha ‘mos e len nanën me veshë rroba të bukra se masanej ka me u qi me burra të tjerë.’ A mujsh me e besu këte?” “Çfarë?!” – gulçova, ndërsa Lorinda vazhdoi: “Po! Bohet mo mir’. Ai po ashtu i tha ‘mos e len nanën me vizitu fqinjët apo miqtë.’ I dha pare xhepi për me m’ manipulu. ” Përveçse e zemëruar, e lënduar dhe e poshtëruar nga vjehrria, Lorinda gjithashtu u ndie nën presion për të mbrojtur reputacionin e saj dhe të fëmijëve. Ajo ishte e vetëdijshme që ryshfeti ishte në fakt strategji e dobët kontrolli shoqëror, ndërsa thashethemet e familjes së burrit për mënyrën e saj të jetës jashtë kufijve të rreptë të vejushës, ishin shumë më të dëmshme.
Fjalët dhe thashethemet shpesh u përdorën në mënyrë shumë efektive për të detyruar gratë të qëndronin me familjet e burrave të tyre të ndjerë, pavarësisht nëse kishin apo jo fëmijë. Për të demonstruar se janë të denja, shumë gra u ndjenë nën presion për të treguar besnikëri jo vetëm ndaj familjes së ngushtë, por edhe ndaj komunitetit në përgjithësi. Edhe vejushat nisën të ruanin njera-tjetrën dhe dhe të ndërmernin fushata thashethemesh, të përbëra kryesisht nga gjysmë të vërteta dhe nganjëherë gënjeshtra të hapura. Kjo prirej të ndodhte kur një vejushë mendohej se kishte dalë jashtë binarëve, domethënë, arrinte të fitonte më shumë para se të tjerat, merrte më shumë ndihma humanitare se të tjerat, kërkonte të drejtën për të lënë fshatin më shpesh sesa mendohej e nevojshme, ose kishte një të dashur. Thashetheme të tilla ishin mekanizma efektive për kontrollin joformal që shpejt nisën të mbërthejnë gruan përkatëse ose grupin e grave, duke ndikuar në mirëqenien e tyre emocionale, miqësitë dhe mundësinë për të pasur qasje në ndihma zhvillimore, ose në mundësi të tjera për të fituar të ardhura dhe për të ecur para në jetë.
Ikonike
Ndërsa rreth vejushave të luftës ndërtoheshin kornizat kufizuese, po ashtu u kuptua se ato nuk do të ishin të qëndrueshme vetëm përmes presionit, kërcënimeve dhe poshtërimit. Për të ruajturtur këtë gjendje, kornizat duhej të ishin aq fleksibile sa për të lejuar hyrjen e disa përshkrimeve të tjera. Kështu, një taktikë tjetër për t’i bërë gratë e veja të njohëshme dhe të menaxhueshme ishte të theksohej sakrifica e tyre, t’i vendosnin në piedestal dhe t’u sigurohej një hapësirë e caktuar për t’u shprehur në publik. Sidoqoftë, në mënyrë paradoksale, akti i pranimit publik të mungesës së pranimit e njohjes së barrës së rëndë që vejushave u ka rënë mbi supe, ka shërbyer për t’i mbajtur këto gra pak a shumë në të njëjtën pozitë të paracaktuar.
Për këtë sa thashë, u bëra e vetëdijshme ndërsa flisja me një ish-komandant të UÇK-së. Gjatë një interviste nisëm të flasim për vështirësitë dhe mungesën e mbështetjes me të cilat vejushat përballen në zonat rurale. Ai nisi të thotë, “Ne përpiqemi t’u gjejmë punë dhe t’u sigurojmë mundësi për të ndjekur shkollën.” Por kur pa vështrimin kritik në fytyrën time, shpejt shtoi: “Por nuk kemi programe specifike për to … i vizitojmë shpesh, veçanërisht në ditët përkujtimore. Po ashtu u qasemi edhe për ngjarje të tjera me vlera kombëtare. I ftojmë në ato ngjarje. ” Kur e shtrëngova të fliste për llojin e kujdesit të prekshëm që u ofrohet vejushave, ai paraqiti një pamje më të zymtë. “Kujdesi për gratë në shoqërinë tonë nuk është aspak i mirë, veçanërisht për gratë që kanë humbur burrat… as 20 përqind të asaj që duhet t’u ishte dhënë atyre në shoqërinë tonë. Si gra dhe nëna, gratë shqiptare janë shtyllat kryesore të ruajtjes së jetës dhe ndjenjave tona të lirisë. (…) Kishim një numër ushtarësh gra që luftuan me ne dhe u burgosën. Ato çgjithashtu] ndihmuan për të vazhduar jetën, duke lindur fëmijë gjatë luftës, duke i arsimuar dhe duke vuajtur. ” Ai vazhdoi të shpjegonte se roli i rëndësishëm dhe patriotik që gratë kishin luajtur gjatë luftës tani ishte harruar dhe nuk pranohej. “Ka shumë burra të njohur si heronj, heronj shtetërorë, por nuk ka gra që ta mbajnë këtë status.” Me ironi në zë, ai përfundoi: “Këtu mund të shihni vlerat e shoqërisë sonë. Këtu duket se sa rëndësi i kushtohet një gruaje.”
Shumë burra me të cilët bisedova ndjeheshin keq që nuk kishte kujdes të veçantë për gratë e veja, që nuk kishte pranim publik të trimërisë së tyre gjatë luftës dhe që shpërfillej roli i tyre tradicional si ‘shtyllat e shoqërisë’. Në të njëjtën kohë, gratë që arrinin t’i kapërcenin muret rreth tyre, t’i kapërcenin këto kufij, frenoheshin nga komuniteti pikërisht duke u njohur “rëndësinë” dhe statusin e veçantë. Më lejoni ta ilustroj këtë me një shembull. Gjatë bisedës me një kryeplak përmenda që kohët e fundit kisha parë një seri intervistash televizive me gra fermere. Doli se ai gjithashtu i kishte parë intervistat dhe mendonte se nuk ishin kryer si duhet. Arsyeja kryesore, shpjegoi ai, ishte se gratë flisnin në mnyrë sipërfaqësore “për këtë dhe atë” dhe se “informacioni i mirë dhe i hollësishëm” u dha nga vetëm një grua, një vejushë lufte. “Ajo ishte e vetmja që dha intervistë të mire, sepse është një nga të vejat e luftës që merret aktivisht në jetën e fshatit. Nuk e kuptoj pse zgjodhën dy gratë e tjera ”. Sipas tij, prodhuesit duhet të kishin biseduar me vejusha të tjera «si Makfirja, që i rrit fëmijët pa burrë dhe punon në fusha. Ka shumë vejusha të tjera që mund të intervistoheshin “. Ajo që kryeplaku nuk përmendi ishte se të vejat si Makfirja shpesh mendonin se komuniteti i kishte vënë përposhtë, luftonin për të mbajtur veten dhe fëmijët pa një rrjet sigurie pas vetes, dhe mendonin se ishte thuajse e pamundur të jetoje duke mishëruar edhe imazhin e një gruaje punëtore, stoike dhe seksualisht të pastër, edhe imazhin e shërbyeses së pafjalë që vajtonte vazhdimisht humbjen e burrit. Kështu, portretizimi i të vejave si ikona që pasqyrojnë sakrificën e fshatrave gjatë luftës, nisi të zbehej për shkak të mungesës së mbështetjes dhe rivuri theksin tek kombi si konstrukt mashkullor duke nxjerrë në pah forma të veçanta të etikës së punës dhe të pavarësisë.
***
Kornizat që portretizojnë vejushat si ‘të margjinalizuara dhe në nevojë’, ose si ‘të padisiplinuara’ dhe ‘ikonike’ janë domosdoshmërisht ideale të thjeshtëzuara. Ashtu si stereotipet ose format e tjera të përcaktuara në mënyrë të ngurtë, këto korniza më shumë komentojnë, vlerësojnë dhe gjykojnë sesa përshkruajnë vejushat, dhe, përmes këtyre proceseve, ndikojnë në jetët e tyre. Domethënë, në vend se thjesht të përshkruajnë figurën e vejushës së luftës, kornizat janë mjet për të menaxhuar dhe kontrolluar gratë dhe për të justifikuar nënshtrimin e tyre në emër të mirësjelljes e ndershmërisë. Sidoqoftë, ashtu si me të gjitha idealet, ishte në fakt e pamundur dhe e padëshiruar nga gratë që të jetonin brenda këtyre pritshmërive të ngurta gjinore që nuk merrnin parasyshë ambivalencën dhe kompleksitetin shoqëror që formëson jetën e përditshme.
Autori: Hanna Kienzler
Përkthimi nga: Armanda Hysa
[1] Të gjithë emrat janë pseudonime
Leave A Comment