
Fillimi i Luftës së Kosovës dhe përdhosja e përditshmërisë
Anduena [1] vështron me dashuri të birin e ulun mbi prehën dhe thotë, “Lufta asht si prrallë për te. Më thotë përherë, “Nan, a m’difton për luftën?”. Un kam zor me folë për te, por i tregoj çka ka ndodhë. Kur maroj, më thotë, “Sa i gzuem jam qi s’kam kenë lindë so kohe.” Ky çast i nxit Anduenën dhe vjehrrën e saj, Lulen, të ndajnë kujtimet e tyre nga konflikti në Kosovë. Ulur mbi shilten ngjyrë kafe përballe mejë, dy gratë e guximshme më tregojnë për përhapjen e dhunës dhe frikës, dhe për pasigurinë e thellë që ndjenin. Ato përshkruajnë si nxitimthi u arratisën prej kompleksit të banimit për të kërkuar strehim te familjarë në fshatra fqinjë dhe si ishte me u kthy dhe me gjetë shtëpinë pjesërisht të djegur. Lulja ndalon dhe reflekton, “Hana, ne tan kohën për luftën flasim. Jena tu folë për diça, e pa e ditë, biseda kthehet prapë te çka ka ndodhë gjatë luftës. S’harrohen lehtë këto gjana.”
I kanë si të gjalla kujtimet e vjeshtës së 1998, kur lajmi se forcat serbe po përparonin me vrull nëpër bashkinë e Rahovecit, duke sulmuar fshat pas fshati, u përhap si zjarr në komunitet. Gratë sollën ndërmend pamjen e njerëzve të shkulur nga shtëpitë e tyre, si zbulonin që të afërm dhe miq ishin vrarë dhe dëgjonin histori zhdukjes dhe torturash. Ata e dinin se fshati i tyre, Pastasel, nuk do mëshirohej, – ishte çështje kohe. Duke e shtrënguar më fort të birin, Anduena thotë, “Ne ishim të frigume se nuk e dijshim kur kishin me na sulmu. Bajshim brumin për buk n’mjesit por s’dijshim a kishim me e ngranë.” Frika e tyre nuk qe e pabazuar. Buka e Anduenës mbeti shumë herë e papjekur.
Mënyra si u shpalos dhuna ishte në të njëjtën kohë barbare dhe perverse nga aspekti social. Kjo e fundit rezultoi nga mënyrat e jashtëzakonshme me të cilat forcat militare dhe paramilitare serbe dukej se uzurponin normat lokale të komunikimit dhe simbolizmin për të përdhosur përditshmërinë e njerëzve. Gjatë sulmeve, tregonin fshatarët, përdorej si forca fizike ashtu dhe informacionet intime të vendit dhe rutinës së popullatës, rolet gjinore dhe vlerat, si dhe të mirat materiale. Për shembull, automjete të armatosura afroheshin në fshat dhe bombardonin që të përzinin banorët. Si largohej popullsia, trupat hynin në fshat për të kërkuar banorët e mbetur. Njerëzit që gjenin i mblidhnin, burra e gra veç, dhe i dërgonin në komisariatin më të afërt për t’i marrë në pyetje, me kërcënime, kanosje dhe dhunë fizike. Më pas fshati pushtohej, shtëpive u vihej flaka dhe gjëja e gjallë vritej, ndërkohë që snajperat qëllonin mbi banorët të cilët nuk pranonin të largoheshin.
Ngjashëm, Lulja sjell ndërmend kohën kur ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë iu afruan Pastaselit. Ata kishin bombarduar tashmë fshatin fqinj të Drenocit ku nga 180 shtëpi, veç tre kishin mbetur pa djegur. Prej andej, forcat e armatosura iu drejtuan Pastaselit, duke sulmuar fshatin dhe banorët. Lulja kujton mirë se si të gjithë u detyruan të fshiheshin në kodra, po pa dobi; më vonë i rrethuan dhe i ndaluan. Burrat u çuan në shkollën në qendër të fshatit, një vend tepër simbolik për mësimin, disiplinën dhe kuvendin, jo veç për nxënësit por dhe për pleqtë e fshatit dhe përfaqësuesit e lagjeve. Këtu, shpjegon Lulja me zë të dridhur, të kapurit u rrahën dhe u keqtrajtuan, dhe më pas u morën në pyetje në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para se të liroheshin ditën tjetër.
Interesant është fakti që, do ditë para takimit tim me Anduenën dhe Lulen, një ish luftëtar i UÇK-së më kishte treguar një histori të ngjashme. Ai më rrëfeu këto ngjarje: “Gjatë sulmit të parë në Pastasel, shumë shpi u dogjën. Veq pesë a gjashtë shpi nuk u prekne. Na u desh me e lanë fshatin e me u ngjitë në kodra. Fjetëm një natë qatje. Të nesrit, sërbët na çuen të tanë te shkolla. Unë nuk qeshë me familjen teme se isha nga ana tjetër e kodrës.” Ai vazhdoi të shpjegonte se pleqtë e fshatit kishin urdhëruar luftëtarët e rinj të UÇK-s’ me u fsheh që të mos vinin gratë e thmitë në rrezik. Ushtarët dhe paramilitarët sërbë i gjetën burrat dhe i detyruan të ecnin drejt shkollës. Ai kujton se mblodhën rreth 30 vetë. Ndërsa ai kishte arritur të ndahej nga grupi, u bë dëshmitar i barbarizmit që ndodhi. Ai tha, “U ktheva te shkolla me pa kush ishte mbrenda. Përgiatë shkollës ishin tridhetë a dyzet tanqe sërbe. I kalova ata dhe pashë sërbt tuj rrehë njerzit me çka iu erdh n’doresh.” Katër prej burrave vdiqën.
Pak më vonë, Pastaseli u sulmua në atë që sot njihet si “Sulmi i Parë”. Anduena dhe Lulja, si shumë fshatarë të tjerë, i gjetën shtëpitë në flakë. Ato kujtojnë traumën e të mbeturit të pastrehë, tregojnë për pasigurinë që ndjenë dhe sa mbështetës ishin fqinjët, duke i ftuar të qëndronin në shtëpitë e veta. Sipas rrëfimeve të tyre, familjet e tjera zhvendoseshin nga një fqinj te tjetri, nga një familjar te një tjetër, duke marrë me vete ato pak plaçka që nuk ua kishte përpirë zjarri. Frika dhe paniku ishin të pakontrollueshme. “S’dijshim ku i kishim familjart, se kemi ikë rrëmujshëm.” më tregojnë. Dy gratë përshkruajnë si të gjithë ishin në lëvizje duke u munduar t’u shpëtonin shpërthimeve të dhunës: “Do shkojmë qitu, do ikim qitu, do ikim në kët pikë…” Megjithatë, Anduena dhe Lulja nuk e braktisën gjatë shtëpinë e tyre. Së bashku me të tjerët, ato u kthyen në Pastasel për t’u përpjekur të rindërtonin shtëpitë dhe rutinën e tyre, ndërsa jetonin nën një stres e pasiguri të madhe, pa ditur se kur do të vinte sulmi i radhës.
Një sulm tjetër vërtetë po përgatitej, dhe në Janar të 1999, ushtria sërbe dhe grupet paramilitare iu drejtuan Kosovës në numra akoma më të mëdhenj. Ata vazhduan të terrorizonin popullatën duke përdorur dhunë ekstreme dhe për më tepër, i shqetësonin thellësisht banorët sepse ishin tepër të familjarizuar me jetën e tyre të përditshme. Duke përdorur këtë taktikë, sërbët zmadhuan fuqimisht, vunë në pikëpyetje, dhunuan dhe revizionuan racionalitetin që strukturonte jetën dhe marrëdhëniet sociale të njerëzve si Anduena dhe Lulja. Lufta pra, kishte të bënte sa me dhunën dhe forcën, aq edhe me marrëdhëniet, komunikimin, strukturat sociale dhe vendet, që duhet të interpretoheshin, negocioheshin dhe rishpikeshin vazhdimisht nga njerëzit, të përballur me pasiguri dhe paqartësi të madhe.
Autorja: Hanna Kienzler
Përkthimi nga: Adela Radovani
[1] Të gjithë emrat janë pseudonime
Leave A Comment