Video-regjistrimi

Veç erës, e vetmja zhurmë që ndihet është kërcëllima e lopatave metalike tek thyejnë tokën shkëmbore. Rreth 30 burra po gërmojnë varre një nga një në rresht, njëri pas tjetrit. Është gati për shi. Papritur kamera tërhiqet rrotull dhe nisë të lëkundet poshtë e lart mbi tokë. Ngjyrat konvergojnë në një kombinim të gjelbre, kafeje dhe portokallie. Duket dhé, pastaj bar dhe papritmas, stof rrobe. Figura stabilizohet. Dallohen dy rreshta me trupa të vdekur të mbështjellë me batanije. Me kamerën tash të fiksuar fort në dorë, kameramani, duke nisur nga fundi, nis të ecë përgjatë rreshtave. Një burrë tjetër shihet duke çmbështjellë batanijet me radhë e duke heqë pëlhura të bardha nga secilat prej ftyrave.

Trupat janë të ngrimë. Ftyrat e tyre të shpërfytyrume janë të mbulume me gjak. Sy të fiksuem bosh. Plagë të shtënash me armë zjarri në kokë dhe gjoks. Lëkurë e copëtume. Rroba të lame në gjak.

Kameramani dhe shoqëruesi pothuaj nuk flasin dhe kur thonë diçka, është për me regjistru nxitimthi emrat e burrave të masakruar, me gjasë për familjarët e mbijetuar dhe si prova për organizatat e të drejtave të njeriut:

“Shkruj, shkruj.”

“Si e ka emnin?”

“Ma shpejt!”

“E shënova.”

“Hajt pra, ma shpejt.”

“Jepi bre!”

“S’e njoh, asht mysafir.”

“Hajde këtu!”

“Shpejt, shpejt!”

“S’kena ça me ba ma tepër, kanë dekë të tanë. Nisna!”

“Emni?”

“Shkruj!”

“Po rigon.”

Fragmentet e bisedave ndërpriten nga të qarat dhe gulçimat. Një burrë tenton të kthejë trupin për nga kamera për të kapur ftyrën e tij, ndërsa kameramani nxiton tutje. Për një pjesë kohe, mund të shihet vetëm bar dhe këmbë që ecin. Burrat arrijnë një tjetër grumbull me trupa të vdekur. Kameramani deklaron se po mbarojnë bateritë.

***

Kjo video u filmua nga një gazetar ose aktivist i të drejtave të njeriut, pak pas 31 marsit të vitit 1991, kur forcat sërbe kryen masakrën në fshatin e Pastaselit, duke vra 106 burra. Kur mbërrita në fshat për të kryer kërkimet e mia etnografike, video-regjistrimi ishte nën zotërimin e një familjeje të zonës, e cila kërkoi që ta shihja para se të më lejonin t’i intervistoja për eksperiencën e tyre me luftën dhe situatën aktuale. Imazhet vazhdojnë të më faniten edhe sot e kësaj dite.

Autorja: Hanna Kienzler

Përkthimi nga: Adela Radovani

Share This Post