Fotoalbumi

I

Jam tu kqyr një seri fotosh pa shkëlqim, të organizueme në një album. Secila është vendosë me kujdes në fletë individuale plastike që janë tash të grisuna dhe ofrojnë pak mbrojtje për fotot. Janë vitet ‘80. Fotot portretizojnë familje me shprehje serioze ftyre me sy drejtuar kamerës. Disa të tjera tregojnë mbledhje familjare rreth tavolinash kafesh të mbushura me pije të gazuara dhe meze. Ka do foto të burrave dhe grave duke pozu shkujdesun para makinës së tyne të parë, ose të një çifti të ri të përqafuem para një monumenti kombëtar dhe burrash duke pozu në forma të ndryshme pranë lulishteve të rregullta me lule ose duke mbajtë ekuilibrin mbi lartësi marramendëse diku në Gjermani. Ishte një kohë shprese për një të ardhme ma të mirë dhe ngritjeje ekonomike. Ishte një kohë frike nga varfnia, persekutimi dhe trazirash politike. Ishte koha kur 400,000 shqiptarë emigruan nga Kosova për në Europën Perëndimore, sepse Serbia anulloi autonominë e provincës, mori në kontroll institucionet dhe vendosi gjuhën serbe si gjuhë zyrtare.

II

Duke kthy faqet e albumit, katapultohem në vitet 1990. Skenat në foto bëhen më ogurzeza. Ato portretizojnë më së shumti burra, shumë rrallë gra, gjatë mbledhjeve në kafene ose në shtëpitë e tyre, me mërzinë të vizatuar në fytyrë, të tjera janë foto djemsh të rinj, të ngazëllyer pas marshimeve protestë në qytetet përreth ose në qendër të Prishtinës, dhe do prej tyre janë burra me veshje kamuflazh e armë në duar, duke pozu me shokët diku në kodra dhe pyje. Lufta po afronte ndërsa shtypja sërbe ndaj popullatës shqiptare të Kosovës veç rritej, duke sjellë dy grupet etnike drejt konfliktit të hapur. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejtuan sulmet e para ndaj policëve sërbë dhe zyrtarëve qeveritarë, të cilave policia ushtarake sërbe iu kundërpërgjigj me shpejtësi me sulme hakmarrëse kundra çdo fshatari që kishte strehu luftëtarë të UÇK-së. Gjatë vitit 1998, konflikti u përshkallëzua me shpejtësi ndërsa Serbia shpalli luftë në Kosovë.

III

Ndërsa kthej faqet e albumit, ftyrat e protestuesve dhe luftëtarëve më kqyrin mbrapsht dhe më nis një ndjesi e çuditshme paralajmëruese. Fotot duket sikur e shqiptojnë fundin e afërt të subjekteve të tyre. Afërsia e vdekjes së burrave është e kudogjindshme dhe gati e prekshme në foto edhe pse pa qenë e portretizuar në realitet. Mbajtja e koncepteve të jetës dhe vdekjes së bashku në kokën time dhe të menduarit e asaj që nuk mund të mendohet, është thuajse çmenduri, pasi në mendje më ngulitet kontradikta. Susan Sontag, një filozofe amerikane, kineaste dhe shkrimtare, e cila kishte vënë re një ndjesi të ngjashme teksa shihte foto lufte, shkruante: “Fotografitë përvijojnë pafajësinë, prekshmërinë e jetëve të udhëhequra drejt shkatërrimit të tyre, dhe kjo lidhje midis fotografisë dhe vdekjes fanitet tek të gjitha fotot me subjekt njeriun.” Është kjo ndjesi e lëvizjes kohore drejt mosqenësisë së subjekteve që më bën t’i kthej faqet me hezitim.

IV

Kthimi i faqeve të albumit qëndron përkrah ndjenjës shtypëse të njohjes së asaj që mungon, të një hendeku kronologjik, një soj prezence të munguar, meqë nuk ka foto që portretizojnë dhunën, vrasjet dhe vuajtjet. Është pikërisht mungesa e brutalitetit të hapur që nxit imagjinatën time dhe e bën të dhimbshëm vazhdimin e udhëtimit nëpër album. Këtë hendek në imazhe e ndjekin fotot e shtëpive të rrënuara dhe mureve mbajtës, skena të varrimeve me arkivole druni gati për t’u ulur në gropat e hapura në dhe, si dhe e grave stoike ose në lotë, me fëmijët e tyre që mbajnë në duar foto të të dashurve të tyre që i kishte marrë lufta.

***

Këto foto më faniten ndërsa disi mundohem me rrokë idenë e jetës dhe vdekjes së bashku. Më përmdjekin pyetjet e çfarë do të thotë të kryesh akte mizorie që shkatërrojnë jetët e të tjerëve, si mundet dikush të ri-banojë në një botë të dëmtuar nga dhuna dhe humbjet, dhe si të vdekurit e luftës vazhdojnë të jetojnë në përditshmërinë e njerëzve dhe në imagjinatë. Më përndjek gjithashtu hapësira e mbetur që lejon të imagjinosh çfarë ka qenë dhe si mund të kishte qenë tani, po të mos ishte për vrasjet, plaçkitjet dhe grabitjet, dhe jam e përndjekur nga çfarë mund të bëhet akoma, pavarësisht gjithçkaje. Është kjo përndjekje, thotë Susan Sontag, që na tërheq drejt imazheve dhe na bën dëgjojmë mesazhin e tyre që duket sikur thonë: “Njerëzit janë të aftë të bëjnë këto gjëra, vullnetarisht, me entuziazëm, me idenë se kanë plot të drejtë. Mos harro.”

Autorja: Hanna Kienzler

Përkthimi nga: Adela Radovani

Share This Post