Përkujtimore e masakrës së Pastaselit

Forcat e armatosura serbe sulmonin sistematikisht fshatrat e bashkisë së Rahovecit, duke dëbuar civilë, bombarduar e shkatërruar shtëpitë e tokat dhe duke vrarë gjënë e gjallë. Me fëmijët në gji dhe të moshuarit për krahu, shumë u arratisën drejt fshatit Pastasel, ku banorët u ofruan strehim. Deri atëherë, dy mijë persona prej fshatrave përreth dhe nga bashkia Klinë ishin mbledhur atje, duke pritur me ankth dhe frikë fatin që i priste.

Më 31 Mars 1999, forcat e armatosura iu afruan Pastaselit. Fshatarët dhe refugjatët rendën në kodrat pranë pa humbur kohë. Shumica prej burrave u fshehën veç nga gratë e fëmijët, për t’i mbrojtur nga dhuna që ata me siguri do të tërhiqnin drejt vetes. Megjithatë, baba i Njaziut, vendosi të kthehet në shtëpi për të lënë të lira lopët, që mos me u djegë gjallë. Njaziu nuk do e takonte më kurrë babën. Ai më tregon për herën e fundit që u panë: “Ishte me lopt e kishte një shishe uji me vedi. Më tha që kishte me u bashku me na, – me nanën, motrat e tanë tjert.” Ndërkohë, Njaziu iu bashkua rreth 30 burrave të tjerë në kodrat sipër Pastaselit, ku vëzhgonin dhe prisnin. Prej dylbive pa granatat që u lëshuan drejt fshatit. Njaziu dhe të tjerët dolën prej kodrave dhe së bashku iu afruan fshatit me hap të ngadaltë, por të qëndrueshëm. Edhe pse qe errësirë, ai mund të dallonte që shumë burra ishin vra. Ai më tha, “I thashë shokut tem që sërbt i paskan vra të tanë dhe rashë e nuk mbaj mend ma kurrgja. Kur çila sytë, shoku jem më tha që duhet me lëvizë.”

Ndërsa djemtë e rinj dhe burrat po fshiheshin në malet pranë, familjet u zbuluan prej serbëve. Një burrë i vjetër më tregon çfarë ndodhi: “N’katër masdreket sërbt mbërritne. Erdhën me tanqe. Do prej nesh ma t’vjetrit nxorëm coh të bardhë me i demostrue që po dorëzohena. Ishim kaq shumë njerz: gra, thmi, pleq. S’dojshin me ditë.” Duke injoruar simbolikën e flamurit të bardhë si një shenjë e uninfikuar njerëzore e dorëzimit, dhe si e tillë e kërkesës së burrave për humanizëm dhe mëshirë, forcat serbe i mblodhën familjet drejt një përroi, ku ndanë burrat prej grave. Gratë më treguan si ushtarët dhe paramilitarët i kontrolluan duke u vjedhur arin dhe paratë. Një grua më tregoi vrimat e çara të veshëve, një dëmtim i marrë kur serbët ia kishin çjerrë veshët për t’i marrë vathët. Më tregon, “Sërbt na mbajshin na grave pa lujtë, as durt. Na u afrune me thika e pushkë, menduem se kishin me na vra. Tesh, kur shkoj kund, harroj pse kam shkue. Nuk kujtoj ma, kam hupë kujtesën.” Kujtimi intensiv i frikës ekstreme dhe dhunës, në shumë prej grave shoqërohet me një ndjesi të humbjes së kujtesës. Dukej sikur nuk kishte më hapësirë të mjaftueshme në mendjet e tyre për të kujtuar aktivitetet e zakonshme të përditshmërisë që dikur do ishin kaq rutinë, t’i hedhësh kripë gjellës, të hedhësh sheqerin në kafe, ose të kujtosh ku po shkon historia që po tregon. Historitë e luftës nuk ishin kurrë larg prej mendjes së tyre, dhe përziheshin në biseda mbi ndodhi të zakonta të atyre ditëve, duke na transportuar si me kapsulë kohe në të shkuarën.

Buzë përroit, familjet jetuan në frikë të papërshkrueshme. Anduena(1) përpiqet të kthejë ndjesitë në fjalë dhe më tregoi, “Sërbt na u afrune sikur me qenë qej të tërbum, tu u jargavitë. Gratë e thmitë kanë nisë me bërtitë. Burrat i ndane veç prej grave dhe thmive, të cilvet iu tha me ikë në Shqypni. Ka kenë tre masdreket. Kena hecë dy orë deri në Radkoc. Thmitë dhe gratë e moshueme mezi kanë mujt me ec, ishin të lodhun e kishi ujë.” Ndërsa gratë dhe fëmijët e tyre u larguan prej vendit, ato dëgjuan burrat, bijtë dhe baballarët e tyre të qëlloheshin. Me zhurmën e automatikëve që u kumbonte në veshë, ato vazhduan të ecin nga njëri fshat i djegur në tjetrin, me fëmijët në krahë dhe duke ndihmuar gratë e moshuara, shumë prej të cilave kishin nisë me humbë fuqitë dhe kishin vështirësi me ecë. Një grua e moshuar më tregoi teksa lotët i rridhnin në faqe, “A pe din, janë kujdesë për na ma t’vjetrit. Kur kena hecë, isha e pamujtun, kam ra kaq herë. Ato m’kanë pritë me m’marrë dhe me i ndjekë. Mund t’më kishin lanë aty me dekë.”

Të mbijetuarit meshkuj të masakrës më treguan si në fillim kishin tentuar të shpëtonin veten duke u dorëzuar ushtarëve paratë. Një prej tyne më tha: “Na ju dorëzuem tanë paret, por dojshin ma tepër. Na zhdeshën me na kontrollue. Nji sërb m’ka goditë pas shpine dhe më tha t’i nepja pare. T’i kam dhanë tana, i diftova. Nisa me hjekë rrobet dhe i thashë, s’kam ma kurrgja. Më la me shkue.”  Serbët konfiskuan edhe dokumentet e identifikimit të burrave – një i mbijetuar raportoi në Human Rights Watch që i kishin thënë se: “S’ke me pasë nevojë për letra aty ku ke me shkue.” ndërsa i dorëzonte. Duke u lutur për jetët e tyre, burrat u denigruan më tej, duke u detyruar të thërrisnin tri herë “Srbija, Srbija, Srbija” – fjalë që ata nuk pranuan t’i përsërisnin e që do t’i kishin vrarë gjithsesi.

Burrat u ndanë më tej në katër grupe dhe u dërguan në përrua, ku secili grup u rreshtua dhe u qëllua. Pasi ushtarët mbaruan së qëlluari, ata ecën midis trupave duke kërkuar për të mbijetuar të mundshëm dhe i qëlluan nga afër. Nga katër grupet, 14 burra mbijetuan dhe 106 humbën jetën.

Të nesërmen, sipas raportimeve, forcat serbe hoqën rreth 20 trupa dhe i transportuan në një shtëpi, ku i dogjën përtej çdo mundësie për identifikim. Kur u larguan prej fshatit po atë ditë, ata i lanë trupat e qëlluar aty ku ishin. Fshatarët që u kthyen në atë vend të kobshëm, nisën të bartnin trupat në një fushë pranë xhamisë së fshatit, ku i mbështollën me shpejtësi në batanije leshi dhe u mbuluan fytyrat me shami të bardha për t’i varrosur. Para se të arrinin ta mbaronin detyrën, paramilitarët serbë u kthyen në Pastasel, duke jua prerë në mes procesin fshatarëve, të cilët u detyruan të tërhiqeshin në kodra. Varrimi u vazhdua pasi serbët u larguan.

Më 11 prill 1999, NATO publikoi imazhe të regjistruara në një fluturim ajror zbulimi të para dy ditëve, duke zbuluar vendvarrimin në Pastasel. Por vetëm dy javë pas daljes së këtyre fotografive, forcat serbe u kthyen në fshat edhe njëherë tjetër me kamionë, i zhvarrosën trupat dhe i hodhën në varre të përbashkëta larg Pastaselit. Një fshatar raportohet se i tregoi Human Rights Watch, “Mos me ditë ku janë fshehë trupat asht për na si me i pas vra për’s’dyti.”

Autorja: Hanna Kienzler

Përkthimi nga: Adela Radovani

[1] Të gjithë emrat e grave janë anonim.

Share This Post