Përkujtimore: Masakra në Krushën e Madhe

Në nji prej bisedave tona të shumta për Luftën e Kosovës, i ndjeri Kadri Dellova, kryeplaku i fshtatit, më tregoi: “Masakra e Krushës asht e gjallë n’mendjen teme si me pasë ndodhë dje. Tanë k’to vite, vazhdoj me e pa terrorin, dhunën. Më beso, ishte si me kanë Hiroshima e Nagasaki. Fshati u shkatërru i gjithi. Vrasje masive, përdhunime, vjedhje të bizhuve të grave, tu therë fytet e njerzve me thika – të gjitha kanë kenë pjesë e historisë së Krushës. Ti s’mund ta sjellësh nëpërmend që nji niri normal i ban k’to sene.” Asht vështirë me imagjinu. Po kaq e vështirë asht me imagjinu çka do me thanë me i mbijetu një mizorie të tillë – si mund të ketë qenë me vujtë të pamendushmen, me përjetu jetën dhe vdekjen bashkë. Nuk kam reshtë së imagjinuari – dhe përvjetori i ardhshëm i masakrës më shtyn sërish të reflektoj mbi kujtimet që të mbijetuarit kanë nda me mua për atë çka u ndodhi atyne, familjeve dhe komunitetit të tyne në atë kohë.

***

Qe mesi i Marsit 1999, më thanë, kur forcat sërbe iu afruan Krushës së Madhe. Fjalët për brutalitetin e madh i paraprinë ardhjes së tyne dhe fshatarët filluan me ikë nga shtëpitë me ato pak sende që mund të merrnin me vete, për t’u fshehë në kodrat përreth dhe në moçal. Të frikësuar dhe në ankth, ata u mblodhën bashkë duke pritur sulmin e pashmangshëm. Prej pikave të vrojtimit, ata mund të shihnin tanket që afroheshin dhe panë me tmerr si shtëpitë e tyre po bormbardoheshin. Krusha po digjej.

Në 26 Mars vendi i fshehjes së tyre u zbulua nga ushtarët dhe paramilitarët. Duke mbledhur fshatarët bashkë nën kërcënimin e armëve, ushtarët ndanë sistematikisht burrat nga gratë dhe fëmijët. Pastaj vodhën bizhuteritë dhe paratë e grave, para se t’i nisnin së bashku me fëmijët e tyre në xhaminë e fshatit. Ndërkohë, burrat u urdhëruan të shtriheshin barkas përdhe, ku më pas paramilitarët, ndërsa ecnin lart e poshtë rreshtit, ceknin me shkop disa prej tyre. Ata që u zgjodhën, u morën për t’u mos parë më kurrë. Të tjerët u urdhëruan të ndiqnin gratë.

Që prej asaj kohe, xhamia është vend që prodhon ndjenja ambivalente. Nga njëra anë atë të adhurimit dhe komunitetit e nga ana tjetër atë që fsheh kujtimet e terrorit dhe frikës më të madhe. Në oborr, burrat u urdhëruan të ndaheshin prej grave dhe fëmijëve. Ata u lejuan të shihnin për herë të fundit njëri tjetrin, përpara se gratë dhe fëmijët u detyruan të largoheshin me urdhëra të gërthitura nga ushtarët. Sapo nisën të ecnin, ata dëgjuan të shtënat e automatikëve dhe menjëherë e kuptuan që baballarët, burrat dhe vëllëzërit e tyre ishin vrarë me gjakftohtësi. Duke rikujtuar atë ditë fatale, Arieta(1) më tregoi me zërin e saj të butë, “E pashë sa vshtirë asht me dekë. Si i qëlluen, trupat e tyne kcenin ende lart e poshtë.”

Duke marrë me vete imazhet dhe zhurmat e tmerrshme të vdekjes, një grup të mbijetuarish u arratisën në fshatin e Rogovës, kurse të tjerë në fshatin fqinjë të Nagavcit; të dyja palët duke përjetuar dhimbjen dhe ankthin e vet. Një grup që arriti në Rogovë u ndalua, u mor në pyetje dhe u terrorizua nga policia sërbe në urën që të çonte në fshat. Si një markues i pashënuar i kujtesës, ura është një kujtim i fuqishëm i terrorit të luftës. Ajo vazhdon të rrokë kujtimet e horrorit, dhe për këtë arsye ndjell ndjenja ankthi dhe shqetësimi midis njerëzve. Ndërsa unë dhe Shpresa po vozitnim mbi të do vite më vonë, në 2007, ajo ngadalësoi, ndezi një cigare dhe nisi të më tregonτe se si policia i kishte ndalë për t’i ngacmu. Një polic ishte afru dhe i kishte rrëmbyer papritur nga dora djalin tre muajsh. Me bebin në krahë, ai kish qëndru në mes të urës duke kërcënu se do e hidhte në lumë. Shpresa dhe e bija ishin trembur dhe kishin bërtitë me sa fuqi kishin derisa polici e ktheu djalin. Që atëhere, reflekton ajo, e bija qan në postblloqet policore dhe pikat e kontrollit të ushtrisë. (2)

Nga ana tjetër, në Nagavc, fshtarët gjetën strehim në shtëpitë e familjarëve dhe të njohurve. Por atje ata u zbuluan dhe u terrorizuan nga ushtria sërbe. Sihana kujton gjatë intervistës se si u urdhërua të dilte jashtë shtëpisë me fëmijët. Në oborr pa të shoqin me burrat e tjerë të rreshtuar nën qytën e armës. “Urdhnuen burrat me çu duert lart. Drejtun armën te burri jem, por në vend të tij qëlluen një qen.” më tregoi Sihana. Edhe pse askush nuk u vra, policia i kërcënoi familjet që nëse iknin prej godinave, do t’i qëllonin të gjithë. Kërcënimi nuk ishte bosh. Disa ditë më vonë, në 2 Prill, një avion u dëgjua rreth orës 2 të mëngjesit, i ndjekur nga një bormbardim që rreth vrau 50 vetë dhe shkatërroi pothuaj gjithë fshatin. U krijua panik i madh dhe 20 mijë fshatarë dhe refugjatë u arratisën drejt Krushës, e nga aty në Prizren, deri në Shqipëri.

Çka panë në Krushë, shokoi shumicën e tyre. I gjithë fshati ishte djegë dhe zbuluan që kishte ndodhur një masakër e përmasave të mëdha. Trupat sërbe kishin vrarë 241 civilë, midis tyre pesë gra, shtatë fëmijë dhe shumë prej pleqve. Forcat sërbe kishin shkatërru gjithashtu shumicën e shtëpive, kishin djegë xhaminë dhe qendrën kulturore, kishin shembur shkollën dhe disa monumente. Ka prova të forta që policia sërbe tentoi me fshehë shenjat e veprimeve të tyre duke djegë dhe heqë trupat. Sipas raportimeve, ata erdhën me buldozerë, një kamion dhe disa makina ushtarake me mbledhë trupat, për me i hedhë disa në një lumë aty pranë, e disa në varret e përbashkëta të shpërndara në gjithë Kosovën dhe Serbinë. Trupat vazhdojnë të kthehen në fshat për identifikim dhe për varrim të denjë edhe sot e kësaj dite. Pa kuptuar, ata së bashku me kujtimet e njerëzve dhe shumë shenja të tjera të pashënuara të kujtesës, janë mjete të fuqishme përkundrejt harresës, lënies pas ose prerjes së kordonit me të shkuarën.

Autorja: Hanna Kienzler

Përkthimi nga: Armanda Hysa

[1] Të gjithë emrat e grave janë të anonimizuar për të mbrojtë identitetin dhe privatësinë e tyne

[2] Në vitet 2007-2008 makinat ndaleshin rregullisht nga KFOR-i dhe policia kosovare për shkak të tensioneve para dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 28 shkurt 2008.

Share This Post