
Portretet
Ishte e zakontë të gjeje portretet e paraardhësve në dhomat e ndenjjes së çdo grupi familjar. Duke shërbyer si një pemë gjenealogjike, ata prezantonin trashëgiminë e njerëzve dhe drejtonin vëmendjen rreth linjës së origjinës, duke gjurmuar prejardhjen nëpërmjet anës mashkullore. Gjatë kohës së Luftës së Kosovës, ushtarët serbë i kishin shkatërruar qëllimshëm shumë prej këtyre portreteve, duke i hequr, grisur ose djegur ato. Këto akte simbolike synonin të tallnin burrat shqiptarë, të mohonin të drejtat e familjeve mbi tokën dhe të ndërprisnin ndjenjën e përkatësisë dhe origjinës.Gjithë çka mbeti ishin shenjat e venitura të kornizave në vendin ku dikur qenë varur, të cilat shërbenin si kujtim i luftës dhe vendshënim i portreteve të martirëve.
Fotografitë e martirëve ishin varur gradualisht me kalimin e kuhës, kur familjet nisën të merrnin konfirmimin e vdekjes së të afërmve të tyre nga ekspertët e mjekësisë ligjore që po krahasonin mostrat e ADN-së pas zhvarrosjes së varreve të përbashkëta të gjetura në gjithë Kosovën. Fotot qenë shpesh të grisura nga pasaporta të vjetra që tregonin në cep vulën blu të hapur të Jugosllavisë, të zmadhuara dhe të kornizuara. Duke parë poshtë nga muret, ato kërkonin mirënjohje dhe respekt. Ato ishin dëshmitaret e heshtura të luftës, mizorive dhe humbjes tragjike, dhe ishin ikona të përnderuara, të cilave iu qe dhënë statusi i mbikëqyrësit të jetës familjare, me fuqinë për të kontrolluar lidhjet sociale, vlerat dhe moralin. Shpesh, m’i prezantonin formalisht, sapo hyja në shtëpinë e një familjeje për herë të parë. Pasi Zana[1] më prezantoi veten dhe tre kunatat, ajo tregoi me gisht portretet mbi kokën e saj, duke thënë me zë të fikur, ‘Kanë dekë të tanë në luftë. Qatje është im shoq Izeti dhe përbri janë tre djemt e mi, Skënderi, Mustafai dhe Fidani.’ Duke fshi një lot, ajo më mirëpriti dhe u kërkoi kunatave të sillnin kafet dhe mezet që të mund të uleshim rehat në kanapenë nën portretet e të dashurve. Po ashtu, kur vizitova për herë të parë familjen e Shpresës, vjehrra e saj, matriarka e një familjeje të madhe, e urdhëroi të ngrihej dhe të më dëftonte emrat e burrave të portretizuar një një kornizë të madhe. Shpresa, tani në këmbë mbi kanape, tregoi me njërën dorë fotot dhe me tjetrën kunatat që ishin ulur në heshtje në kolltukët ngjyrë kafe. ‘Ky asht burri i Myvetes, Etriti, ky i Hasimes, Gazmendi dhe djali i tyne Valmiri, qitu asht burri i Blerinës, Mehmeti dhe tre djemt Emini, Nazimi dhe Arditi.’ Pasi tregoi burrin e saj, Florimin, ajo zbriti vrik nga kanapeja, kapi paketën e saj të duhanit dhe u largua nga dhoma. Asnjë shpjegim nuk qe i nevojshëm. Vjehrra qante në heshtje dhe tha me hidhërim, ‘Asht ma mirë mos me pasë fmij. Mos ban fmij, Hana! Pata gjithë ata e pse me i ba? Që me t’i vra?’
Të përballesh me portretet e martirëve mund të jetë shqetësuese dhe çorientuese Ata ishin në mënyrë rrëqethëse sa prezent aq edhe të munguar, ndërkohë që, në të njëjtën kohë, komunikonin dhe vepronin me të gjallët në mënyra enigmatike. Kur Valoni i vogël nuk u kthye në shtëpi menjëherë pas shkolle, e ëma dhe motrat dolën për ta kërkuar në lagje për një orë, por pa sukes. Të shqetësuara ato u ulën në oborr derisa ai u shfaq, duke kërcyer gëzueshëm në rrugën e pashtruar. Ai u zu në befasi kur frika e motrave për të u zbraz me zemërin e zë të ashpër, duke i kërkuar të tregonte se ku e kishte kaluar gjithë atë kohë. Ndërsa mundohej t’u shmangej pyetjeve të tyre, ai u akuzua se po gënjente mbi ku kishte qenë. Duke iu sosur durimi, motrat më në fund e tërhoqën zvarrë, shoqëruar me shqelma, të qara dhe ulërima në sallon, ku e ulën poshtë portretit të të ndjerit babait të tij. ‘Edhe iher, Valon, ku ke qenë tan kët kohë qi po t’kërkojshim?’ Shikimi i butë i të atit e bëri të tregonte, të qante ca më shumë dhe të hidhej në krahët e nënës së tij të rraskapitur.
Duke mbajtur në këmbë hierarkinë familjare dhe vlerat, portretet nuk ishin gjithnjë në kontroll të historisë së tyre. Në raste të veçanta, ata provokonin gratë sidomos, që të flisnin për jetën në forma jo zakonisht të pranueshme, duke bërë shaka me të vdekurit dhe duke vënë në pikëpyetje normat tradicionale, vlerat dhe kujtimet që ata përfaqësonin. Ndërsa unë dhe Makfirja ishim për vizitë te Lorida, kjo na tregoi një foto në mur, të sajën dhe burrit të ndjerë, të rregulluar për ditë të Diele.
‘Kqyre sa e bukur kam kenë. Kush asht ma i bukur, unë apo burri jem? na u kthye ajo me shaka.
U gjegja me kujdes, ‘Asht e vshtirë me i krahasu burrat e gratë në pamje. Jeni të dy të bukur.’
‘Jah, unë jam ma e bukur.’ nguli këmgë ajo.
Makfirja nënqeshi dhe e ngacmoi, ‘Jo, burri yt asht ma i bukur.’
Papritur, atmosfera ndryshoi dhe gratë lëvizën para me sytë e mjegulluar ndërsa Makfirja tha, ‘Isha tridhetenand kur më diq burri. Tash po m’doket vedi si plakë. Sikur jeta ka mbarue.’
Lorida tundi kryet ngadalë, duke iu këputur zëri, ndërsa tregonte, ‘Keshë martu për veç 15 vjet, qaq… Ishim të reja dhe u bamë të veja.’
‘Unë isha pesëmbdhetë kur më martune.’ vazhdon Makfirja. ‘Ishte vendim i familjes. Kur u ankova, nana m’tha, ‘qishtu si asht baba jot, baj si të thotë’.
Kur unë komentova, ‘Ishe krejt fmi…’ ajo u gjegj me zë të ulët, ‘Po, duhet të kisha lujtë edhe i fije. M’dhanë te burri.’
Si vazhdoi biseda, Lorida u bë gjithnjë e më guximtare për ta kritikuar vjehrrinë, duke nënvizuar se nuk kishte marrë shumë si dhuratë nusërie prej tyre pas fejesës. ‘Jam fejue me bluzen që më sollën prej shpiet. Asgja s’më kanë dhanë. Ça soj familjeje!’
Makfirja kishte pasur fat më të mirë, ‘Jo, mu m’prune do gjana. Maica, do bizhuteri prej vjehrrisë. Kisha sjellë edhe une prej shpiet. Po jo si ti, jo. Ata m’i pagune edhe muzikantat me ba muzikë e ksi gjanash.’
Lorida u dha fund rikujtimeve të tyre të fejesave dhe martesave duke ngritur duart lart e duke thirrur, ‘Burri jem vdiq më 4 Mars, për ditëlindjen teme.’ Makfirja psherëtiu dhe duke tundur kokën tha, ‘E qitu rrimë. Pa mbshtetje. Burrat i kishim msusa, punojshin për shtetin dhe për shqiptart. Askush s’do me ia dit për na. Jena bërllok.’
Duart e Loridës u përplasën me zhurmë mbi kanape, duke na sjellë të gjithëve në të tashmen. Për një çast të shpejtë, biseda e tyre kishte bërë të dukshme atë çfarë korniza përmbante përtej portretit – emocionet dhe vlerat e vështira për t’u pajtuar, që vlerësonin dhe kritikonin ashpër jetën familjare dhe komunitare. Filozofja Judith Butler shkroi dikur se fotot e mbajnë qëllimin e tyre më pak tek imazhi sesa te korniza. Ajo nënvizonte se, ‘Mund ta mendojnë kornizën (…) si aktive, sa larguese aq edhe prezantuese, e duke i bërë të dyja këto njëkohësisht, në heshtje, pa asnjë shenjë të dukshme të këtij veprimi. Ndërsa funksionimi i kornizës zakonisht nuk është i përfaqësueshëm, ka rrethana kur ‘akte mosbindjeje të të parit’ ekspozojnë dramaturgjinë e detyruar, ndërsa kritikojnë ‘fuqitë censuruese’ të shoqërisë.[2] Në mënyrë të ngjashme, kornizat që mbajnë portretet e martirëve të prezantuar, u mbajtën dhe u copëtuan. Këto lëvizje, nga ana e tyre, i lejuan portretet të lëkunden midis funksionimit si kujtues të luftës, si paraqitje e atyre që dikur kërkonin respekt dhe përnderim, si stimul për të provokuar kritikën e shoqërisë, duke qenë gjithashtu thjesht copa letrash që shkrihen me sfondin ndërsa familjet vazhdonin jetën e tyre të përditshme.
Autorja: Hanna Kienzler
Përkthimi nga: Adela Radovani
Fotoja në krye paraqet Ukshin Hotin, një filozof dhe aktivist politik që luftoi për Kosovën e lirë. Ai punoi si profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Filozofisë në Universitetin e Prishtinës. Para lufte, ai u arrestua disa herë nga autoritetet jugosllave. Gjatë luftës, u kap dhe u vra nga forcat serbe. Trupi i tij ende nuk gjendet deri më sot.
[1] Të gjithë emrat në histori janë pseudonime
[2] Butler, Judith. (2016). Frames of war: When is life grievable? Verso Books.
Leave A Comment