Zia për humbjen, kujtimi i vështirësive, ndërtimi i një Kombi. Përkujtimi i Masakrave në Krushë të Madhe dhe Pastasel

Është Mars dhe po afrohen përvjetorët e masakrave të kryera nga forcat sërbe në Krushë të Madhe dhe Pastasel në vitin 1999. Ato përkujtohen më 26 Mars në Krushë dhe më 31 Mars në Pastasel. Në vitin 2008, pak kohë pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, im shoq dhe unë patëm privilegjin të ishim të pranishëm në përkujtimoret – ceremoni dhe emocione të cilat kanë hyrë thellë në kujtimet tona, për t’u mos harru kurrë.

Në at’kohë, gratë në Krushë e Pastasel tregonin sesi jetesa gjatë Marsit ishte një sfidë e madhe emocionale. Përvjetorët e masakrave përbënin objek bisedash të përditshme në lidhje me kujtimet e dhimbshme për luftën dhe humbjen e jetës, shoqëruar nga vënia në pikëpyetje e mbijetesës së dikujt. Edona[1] më tha, “Marsi asht muji ma i vshtirë, nga fillimi n’fund, se bahem nervoze dhe pves vedin, pse ndodhi masakra e si ka ndodhë. Mendoj si e kena shty, ku rrijshim, si s’kishin uj’ e buk para nandë vitesh.” Gratë numëronin ditët deri në përvjetor në pritje nervoze. “Qe dhe gjashtmbëdhet dit. Asht një muaj i dëshprimit, kjameve, vujtjes. Asht muj i vshtirë për na.” Emocionet dhe dhimbjet fizike të lidhura me to, i bënin këto gra jo vetëm të paafta, por dhe i shtynte të merreshin me shumë punë shtëpie, si përgatitja e ushqimit për të pritur vizitorët e shumtë, montimi i portreteve të të afërmëve të vdekun për në ceromoninë formale përkujtimore dhe blerja e kurorave me lule për të zbukuruar varret e të dashurve të tyne.

Disa ditë para përvjetorit, Makfirja m’u afru për të më pyetur nëse mund ta shoqëroja me makinë deri në Gjakovë për të ble kurora me lule për varrin e të shoqit. Së bashku me të birin, Valonin, tim shoq Cees dhe asistenten kërkimore Ilirjanën, u nisëm për të gjetur dekorime të përshtatshme për varre. Duke gjarpëruar makinën nëpër rrugët e ngushta të qytetit të vjetër, mbërritëm më në fund në një rrugë me disa dyqane që shisnin dekorime për varre dhe arkivolë. Në dyqanin e parë ku hymë, kurorat vareshin nga tavani dhe mbi mure, ndërsa arkivolët ishin të stivosur mbi njëri-tjetrin në qoshet e një dhome të errët. Dyqanxhiu, një mesoburrë i shkurtër, doli direkt e në temë; ai shpështolli një shirit të kuq mbi banak dhe pyeti Makfiren çfarë duhet të shkruante në të. Mbeta e befasuar nga sjellja e tij e prerë dhe për një moment mendova nëse të shisje kurora ishte njësoj si të shisje këpucë apo speca në market. Ilirjana u përpoq të kthente vëmendjen e tij tek fakti që ne donim t’i kqyrnim si fillim zbukurimet. Pasi i ekzaminoi kurorat, Makfirja nuk u duk e kënaqur dhe i quajti tepër të shtrenjta, pavarësisht ofertës speciale që bëri shitësi.

Vendosëm me pa tjetërkund. Pasi kaluam me makinë tregun, karrot e tërhequra nga kuaj, burra e gra me qese plastike të mbushura plot, e pasi kaluam kishën Katolike të vjetër si dhe atë të re, eventualisht arritëm një dyqan të vogël, që i ngjante një kioske për ushqime dhe mjete të vogla. Brenda, një burrë i regjur na u afrua. Ashtu si i mëparshmi, ishte i paedukatë, i ashpër dhe na e bëri të qartë që donte të shiste. Pasi i kqyrëm mirë disa kurora në formë zemre, prej plastike dhe letre, Makfirja na shpjegoi se 25 euro i dukeshin tepër.

Duke kërcitur gjuhën dhe tundur kokën, i tha: “Kam ardh prej Krushe me ble dekoracione në Gjakovë. M’ka dek burri në luftë.”

Burri e pa atë për herë të parë dhe pyeti, “Prej ka the se je?”

Makfirja përsëriti e palëkundur, “Kam ardhë prej Krushe!”

Ai psherëtiu. “Mir pra, n’kyt rast kam me t’i shitë për 20 euro.“

Ajo ra dakord dhe vendosi të merrte kurorat në formë zemre, me trëndafila të bardhë dhe rozë të hapur.

“Ç’ka po don me t’shkru në shirit?” pyeti burri.

“Në kujtim të Besnik Azemit – Valoni dhe familja.”

Ilirjana e pa e habitur dhe pyeti, “A je e sigurt?“

Makfirja nuk e kuptoi konfuzionin e saj. “Mujt me shkru edhe: Djali dhe familja.”

“Unë kisha me shkru: Makfirja dhe fmit.” sugjeroi Ilirjana.

Ilirjana ishte e shqetësuar se vendimi i Makfires për të mos përmendur emrin e saj në dedikim, do ta ‘zhdukte’ dhe do ta ‘çfuqizonte’ atë brenda strukturës patriarkale të vetë familjes së saj dhe komunitetit, duke minimizuar kështu simbolikisht fuqinë e saj për të vepruar si kryefamiljare dhe vendimmarrëse.

Sidoqoftë, ne shpejt kuptuan që ishte e thjeshtëzuar të mendoje se Makfires i mungonte zotësia për të vepruar apo fuqia e vendimmarrjes. Pasi bleu kurorën, ajo vendosi të kthehej te dyqani i parë, për të blerë edhe një tjetër. Kur po negocionim për çmimin, mesa duket oferta speciale që shitësi bëri herën e parë kishte skaduar. E mërzitur, Makfirja kërkoi me zë të lartë:

“Ç’ka po thu? Herën e parë na e dhe për 15 evro e tesh keka 20?!”

“Po un veç një evro e gjys fitoj prej saj” u ankua burri.

Makfirja, me qimet përpjetë nga zemërimi, e ngriti zërin e tha me përçmim, “Një evro e gjys posi!”

Më në fund, ai iu kthye ofertës së parë. Ndërsa po shkruante shiritin, Makfirja e habiti shitësin kur i kërkoi me shtu emrin tim dhe të tim shoqi. Atmosfera ishte e tensionuar dhe kur ai e shkroi emrin tim gabim, Ilirjana humbi durimin, ia mori stilolapsin nga dora dhe e mbaroi punën vetë. Ndërkohë që Makfirja nuk e përfshiu emrin e vet, vendimi i saj i ndërgjegjshëm për të shtuar emrat tanë tregoi hapur se strukturat familjare tradicionale janë të lakueshme dhe se zëri i saj kishte peshë, e mund ta ushtronte autoritetin e saj në mënyrë efektive.

Në ditët e përvjetorëve të masakrave, gratë nga Pastaseli dhe Krusha nxorën  kurorat dhe portretet e të dashurve të tyre, duke i mbajtur në një kortezh drejt varrezave të dëshmorëve. Në varreza u vunë re disa transformime. Fotografitë e anëtarëve individualë të familjes dolën jashtë kuadrit të strukturës intime të familjes dhe u përfshinë në një gjenealogji heronjsh kombëtarë që kishin sakrifikuar jetën e tyre për të mirën e përgjithshme. Ata u përfaqësuan nëpërmjet imazheve duke përfshirë fotografi të luftëtarëve heroikë të lirisë, të cilët përmes një linje gjenealogjike të imagjinuar u lidhën me Adem Jasharin, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe prej tij me luftëtarin e shekullit të 15-të, Skënderbeun, udhëheqës në luftën kundër turqve. Ndërkohë që kjo gjenealogji i privon dëshmorët nga  individualiteti i tyre, karakteri dhe historitë e tyre personale, nga ana tjetër duket se tregon që vdekja e këtyre njerëzve ishte e denjë – se ata kishin sakrifikuar jetën e tyre për kombin, për atdheun. Si për të theksuar këtë gjë, paraqitjet vizuale u shoqëruan nga muzikë patriotike dhe këngë për shqiptarët që kishin humbur jetën nga dora e serbëve.

Ndërsa portretet gjetën vendin e tyre të ri, po ashtu e gjetën edhe anëtarët e komunitetit kur filluan të mbërrinin në vendngjarje. Pleqtë dhe shumica e të burrave të rinj zunë vend para skenës, pranë kryepleqve të fshatrave, politikanëve të rajonit dhe gazetarëve. Së bashku, ata krijuan qendrën e ceremonisë përkujtimore, të ulur me shpinë nga varret, pranë skenës, duke pritur këndimin e himnit kombëtar dhe shfaqjen e folësve të ndryshëm. Grave dhe fëmijëve iu kërkua të qëndronin pas një gardhi që rrethonte varrezat. Atje, ato kryesisht u shpërfillën gjatë gjithë ceremonive dhe nuk u ftuan t’i bashkoheshin komunikimit, apo asaj që konsiderohej sferë publike.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se gratë mbetën pasive përgjatë caqeve. Përkundrazi, në zonën e tyre të kufizuar, ato i bënë emocionet gjithnjë e më të prekshme, duke komunikuar dhimbjen e tyre përmes simbolizmit të trupit. Duke qëndruar mes tyre gjatë përvjetorit në Krushë, dëgjoja ndërsa vajtimet me dënesë midis grave bëheshin gjithnjë e më e forta – teksa shihnin njëra-tjetrën duke qarë, ato shpërthenin edhe vetë në lot, duke përhapur një reagim-zinxhir vajtimi mes tyre. Kështu, lotët u kthyen në artifakte shkëmbimi, një shprehje e përbashkët e forcës emocionale dhe dhimbjes që i lidhte këto gra me njëra-tjetrën. Nga ana tjetër, ky shkëmbim shërbeu si fuqizim për to, pasi krijoi një enklavë afektive që i afronte gratë së bashku akoma më shumë.[2] Në të njëjtën kohë, ky afrim e përforcoi ndarjen e tyre nga qendra publike e ceremonisë përkujtimore, ku emocionet, dënesat dhe ngushëllimet e tyre të pëshpëritura u mbytën nga muzika dhe më vonë nga fjalimet e bëra provë.

Ceremonitë në të dy fshatrat nisën me këndimin e një himni të vjetër shqiptar, i cili u pasua nga një minutë heshtje dhe disa fjalime nga përfaqësues politikë dhe anëtarë të familjeve, duke gërshetuar kujtimet e luftës me kërkesat për drejtësi dhe etno-nacionalizëm. Fjalimi i mëposhtëm u mbajt nga përfaqësuesi i fshatit në Pastasel:

“Pjesëtarë të nderuar të familjeve të heronjve dhe martirëve, kryetarë të nderuar të bashkive (…), përfaqësues të nderuar të forcave policore, popullatë e nderuar që jeni mbledhur këtu pas nëntë vitesh për të kujtuar 106 martirët që u vranë prej forcave paramilitare serbe në 31 mars të 1999. Dy javë pas masakrës, forcat serbe u rikthyen për me zhvarrosë trupat edhe një herë dhe me i dërgu në drejtime të ndryshme. Midis  106 të vrarëve kishte popullsi prej fshatrave përreth si Senoc, Zatriq, Guri i KUq, Qiflak, Kramavik, Llapqev, Sverk, Gremnik dhe bashki të tjera. Emrat e tyre janë të gdhendura me gërma ari në listën e gjatë të atyre që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e kësaj toke. Dëshira e tyre e fundit është plotësuar – Kosova është e lirë dhe e pavarur. Ata e ndërtuan bazamentin e Republikës së Kosovës me gjakun e tyre. Është në dorën tonë që të nderojmë dhe respektojmë sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës. Qoftë i lehtë dheu i Kosovës mbi ta! U prehshin në paqe!“

Ky dhe fjalime të tjera patriotike ishin veprime mbresëlënëse që lidhnin krijimin e një kombi-shtet të ri në formë direkte me sakrificën e martirëve, e kështu, rikonfiguronin hapësirën dhe i jepnin një kuptim të ri. Në fakt, fjalimet të kujtonin kongregimin e detyrës së tyre për të vazhduar së jetuari dëshirën e fundit të atyre që dhanë jetën për atdheun dhe apelonin drejt autoriteteve të shtetit të Kosovës dhe agjensive ndërkombëtare, që ta merrnin serioziosht detyrën e sjelljes para drejtësisë të atyre që ishin përgjegjës për vrasjet dhe për të vendosur për fatin e të humburve. Fjalime të tilla publike në pika përkujtimore strategjikisht të zgjedhura, siç janë varrezat e martirëve, mund të përçojnë mesazhe të rëndësishme që përforcojnë kujtesën dominuese kolektive të dhunës dhe të kombëtarisë së lindur prej saj. Me fjalë të tjera, ato janë të afta për të krijuar shtet-kombe të reja, duke i kthyer martirët në një grup homogjen që përfaqëson një “sakrificë” – një sakrificë për kombin që të fitojë fuqinë mbi territoret dhe kufijtë e veta.

Ndërsa martirët u shndërruan në “sakrifica”, konsideruar që nuk e dhanë kot jetën e tyre, por për kombin dhe territoret e tij, një përfaqësim i tillë nuk do ishte i efektshëm më vete. Për të konsoliduar jo vetëm të drejtën e tyre mbi territorin kosovar, por edhe për të kërkuar drejtësi me anë të ndjekjes penale e reparacioneve në formë monetare dhe përmirësimit të infrastrukturës, ishte kritike që të shfaqej gjithashtu publikisht vuajtja dhe dhimbja. Pikërisht këtu hynin gratë. Pasi fjalimet mbaruan dhe përfaqësuesit politikë kishin vënë kurorat e tyre poshtë monumentit kryesor, burrat u tërhoqën në caqe dhe gratë mund të hynin kështu në rrethin e brendshëm për të shfaqur publikisht hidhërimin e tyre. Praktikat gjithnjë e në zhvillim të vajtimit që ndodhi, ndryshonin tërësisht nga fjalimet e porositura të mëparshme dhe pasthirrmat ritualistike të burrave. Gratë, të dërrmuara nga emocionet, gjunjëzoheshin ose hidheshin mbi varret e të dashurve të tyre, duke fërkuar fytyrën në dhe e duke qarë hidhërueshëm, ndërsa disa të tjera dukeshin stoike, pa shfaqje të dukshme pikëllimi. Të shkrepura dhe të publikuara nga gazetarët, imazhet e “grave fshatare të pikëlluara dhe në vuajtje të Kosovës” morën dukshmëri dhe rezonancë, me anë të së cilës ato përçuan dhimbjen e tyre te të tjerët dhe e rrënjosën atë në memorjen kolektive të një komuniteti kujtimor kombëtar dhe ndërkombëtar më të gjerë. Në kësi momentesh, ndikimet individuale, interpersonale, komunale dhe strukturore shoqërore ndërthurën dhe shndërruan trupat e grave në vende të kujtimeve kombëtare dhe identiteti.

Sidoqoftë, do të ishte gabim të sugjerohej se ndarja gjinore e përkujtimit ishte e shpërndarë barabar midis grave dhe burrave. Para së gjithash, fjalimet e mbajtura nga burrat përjashtonin zërat e grave. Kujtimet e tyre individuale dhe kolektive po ashtu u lanë jashtë rrëfimeve të botuara nga gazetarë vendas dhe të huaj, që i portretizuan gratë shqiptare të Kosovës, si spektatore, të mbijetuara dhe të vuajtura që nxisin ngjarjet politike me patos.[3] Ngjashëm, një raport i fundit nga Qendra për Kërkimet, Dokumentimin dhe Publikimet nënvizoi se peisazhi aktual i kujtesës në Kosovë është ‘në përputhje me normat patriarkale, duke paraqitur kështu pengesa të mëtejshme për gratë që kërkojnë të sfidojnë status-quonë e dominuar nga burrat’.[4] Në raport sugjerohet më tej se gratë nuk kanë vend të rëndësishëm në kujtimet zyrtare dhe private që iu dedikohen martirëve.[5] Ndërsa bie kryesisht dakord me vlerësimin se gratë nuk janë zyrtarisht të përfaqësuara si heroina nëpërmjet projekteve përkujtimore si statujat, nuk bie dakord që ato nuk kanë vend në përkujtimin e martirëve dhe luftës në tërësi. Përkundrazi, mungesa gjatë ceremonive përkujtimore do i shndërronte ngjarjet në utilitare, të ftohta dhe paksa imorale. Është meritë e heshtjes së grave si dhe shfaqjes së pikëllimit dhe emocioneve të tyre personale, fakti që të dashurit e tyre nuk janë më veçse ‘sakrifica’ dhe shënues për kombin, por janë bërë të vajtueshëm edhe për të tjerët.

Autore: Hanna Kienzler

Përkthimi nga: Adela Radovani

[1] Të gjithë emrat janë pseudonime

[2] Frymëzuar nga Nadia Seremetakis, e cila shkruan në ‘Fjala e Fundit’ mbi ritualet greke të zisë që lotët janë artefakte që ju nevojitet këmbim që të mos kthehen në “sende pa vend” Inspired by Nadia Seremetakis who writes in The Last Word about Greek mourning rituals that tears are artefacts requiring exchange should they not turn into “matter out of place” (1991, p.5).

[3] Shih edhe Krasniqi, Vjollca. 2007. Imagery, gender and power: the politics of representation in post-war Kosova. Feminist Review 86 (1):1-23.

[4] Centre for Research, Documentation and Publication. 2015. Post-War Memorialization and Dealing with the Past in the Republic of Kosovo. Prishtina: Centre for Research, Documentation and Publication.

[5] Shih edhe Krasniqi, Elife. 2011. Memorials in Kosovo today. Made in KS 3 (6):4-6

Share This Post