
Kur të varfrit e denjë refuzojnë të jenë të virtytshëm dhe ndihma humanitare dështon së imagjinuari një jetë të mirë
Virtyte humanitare
Luftërat ndryshojnë kushtet e jetesës.
Ka një numër të madh vdekjesh të civilëve dhe fluks të njerëzve të zhvendosur me forcë. Ka shpërbërje të familjes, dobësim të rrjeteve sociale dhe prishje të shërbimeve sociale. Ka humbje materiale, çrregullim të ekonomive sociale, zhvendosje të prodhimit të ushqimit dhe eksod të fuqisë punëtore. Ka nivele të larta papunësie dhe paga të ulëta; ka edhe varfëri.
Luftërat krijojnë gjithashtu mundësi të reja.
Njerëzit riorientojnë vetveten drejt njëri-tjetrit dhe drejt fluksit masiv të të huajve – mercenarëve, paqeruajtësve dhe ofruesve të ndihmës. Kam vëzhguar me vite sesi ndihma humanitare me shpurën e saj të ekspertëve, vullnetarëve dhe aventurierëve formëson thellësisht kushtet dhe mundësitë e jetesës në terren. Kamionët dhe xhipat, duke ekspozuar etiketat e organizatave nga anë të ndryshme të botës, shfaqen si nga hiçi nëpër qytete e fshatra. Burrat dhe gratë, të cilët kanë nevojë për ndihmë në përkthim, shpaketojnë mallrat që variojnë nga materiale ndërtimi, orendi shtëpiake e deri në rroba. Shpesh, ata qëndrojnë për njëfarë kohe duke punuar me popullatën vendase për të kryer vlerësimin e nevojave, për të prezantuar plane biznesi ose për të paraqitur teknika shëruese për plagët trupore dhe shpirtërore të luftës.
Shpërndarja e këtyre mallrave dhe shërbimeve ndjek një logjikë e cila është e errësuar dhe e shprehur nën petkun e “etikës së virtytit”.[1] Kjo logjikë karakterizohet nga mirësia, dinjiteti njerëzor, altruizmi, dashamirësia dhe bamirësia, të gjitha me synimin për të ofruar ndihmë ndaj viktimave. Antropologu Didier Fassin e ka quajtur këtë logjikë “arsye humanitare”. Arsyeja humanitare, shpjegon ai, merr shtysë nga përmasat morale të empatisë kundrejt të varfërve dhe kënaqësisë së të ndihmuarit ata. Ajo gjithashtu ushqen pritshmëritë ndaj të varfërve – çfarë janë dhe çfarë duhet të jenë, si sillen dhe si duhet të sillen. Në këtë mënyrë, supozimi i natyrshëm është se të varfërit e denjë duhet të jenë “të virtytshëm” me detyrën të mbështesin një rend shoqëror moralisht të drejtë duke qenë mirënjohës për ndihmën dhe natyrshëm të drejtë e të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit.[2] Ndërkohë që ideale të tilla krijojnë pritshmëri dhe ndërveprime në terren, ato janë gjithashtu të papërsosura dhe ngrenë pyetje kritike. Çfarë ndodh nën maskën e idealeve dhe virtyteve? Si i negociojnë njerëzit pritshmëritë idealiste dhe si e ruajnë rendin moral ndërkohë që ndjekin interesat e tyre? Çfarë do të thotë kur të varfërit e denjë refuzojnë të jenë të virtytshëm? Dua të hedh pak dritë mbi këto pyetje duke iu drejtuar hulumtimit tim në Kosovë, ku kam ekzaminuar aktivitetet e zakonshme përmes të cilave gratë e fshatit navigonin në fushën humanitare në mënyrë për të ndryshuar kushtet e jetës së tyre.
Kur të varfërit e denjë refuzojnë të jenë të virtytshëm
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Kosovës, ndihmat vërshuan nëpër fshatra pa pasur sistem tashmë të vendosur për shpërndarjen e tyre. Për të përballuar kaosin që po shpalosej, fshatarët, së bashku me ofruesit e ndihmave, sajuan mekanizma burokratikë të bazuar në burimet e disponueshme, nevojat dhe sentimentin moral. Një nga këto mekanizma ishin “listat e nevojtarëve”. Emrat e vejushave dhe jetimëve zakonisht vendoseshin në krye të listave, të ndjekura nga familjet veçanërisht të vobekta që konsideroheshin të pafavorizuara për shkak të lidhjeve të tyre të dobëta sociale, nivelit të ulët të arsimit dhe aftësisë së kufizuar për të gjeneruar të ardhura për familjet e tyre. Në këtë mënyrë, u krijuan hierarki të të vuajturve, për të përcaktuar se kush duhet të ndihmohej i pari.
Ndërkohë që listat sollën strukturim në shpërndarjen e ndihmave, ato krijuan gjithashtu boshllëqe dhe tensione të reja midis komuniteteve të fshatit. Fshatarët u ankuan se duke barazuar automatikisht të qenët i/e ve me varfërinë dhe meritimin, familjet e tjera që jetonin në rrethana po aq të vështira u lanë pas dore. Valbona[3], e cila e konsideronte veten ndër këta të fundit, tha, me një ton mjaft të hidhëruar, gjatë një bisede që patëm: “Ishin disa organizata që donin të ndihmonin njerëzit në nevojë. Por atyre u thanë se familjet në nevojë ishin ato që humbën kryefamiljarin mashkull. Ajo që dua të them është se njerëzit në nevojë ishin pa përjashtim vejushat e luftës.” Pas një psherëtimë të gjatë, ajo vazhdoi: “Askush nuk e pa situatën tonë. Kur u kthyem si refugjatë nga Shqipëria, mezi morëm ndihmë vetëm sepse burri im nuk vdiq gjatë luftës. Më vjen turp ta them këtë, por ishim të detyruar të bënim banjë për tre vjet në nevojtoren jashtë.”
Këto “lista nevojtarësh” jo vetëm që krijuan hierarki të reja, por gjithashtu kamufluan dimensionet ekzistuese të pushtetit dhe aktivitetet dytësore. Dimensionet ekzistuese të fuqisë bënë të mundur që ndihma të rridhte shumë më me lehtë nëpër disa rrjete familjare sesa në të tjera. Duke më shpjeguar këtë, Shkurta, nënë e tre fëmijëve që jetonte në një kompleks të madh familjar, tha vajtueshëm: “Askush nuk na ndihmoi! Kishim dy të vdekur në familje. Ne nuk morëm para, nuk morëm materiale ndërtimi, burrat tanë nuk gjetën punë, asgjë.” Ndërkohë që familja e saj mund të mos kishte marrë shumë, ose asgjë në të vërtetë, kjo nuk vlente për të gjithë fshatarët. “Kishte familje që i rrëmbyen ndihmat për veten e tyre. Ne të tjerët thjesht këqyrnim atë çka po ndodhte. Po të vinte për të qarë, mund të qaje. Qka me bo?!, tha ajo. ‘Rrëmbimi i ndihmave’ lidhej shpesh me aktivitete dytësore dhe disi të fshehura, si tregtia dhe shkëmbimi. Gratë i quanin keqpërdorim ose korruptim. Lorida, një vejushë energjike dhe që fliste haptazi, më shpjegoi: “Ndihmat keqpërdoreshin shpesh. Është e vërtetë, Hanna, mund ta them me gojën plot!” Duke ngritur zërin, ajo vazhdoi: “Shumë familje që nuk kishin pësuar dëme gjatë luftës dhe kanë pasur një lopë, kanë marrë edhe një lopë tjetër. Pikërisht ashtu.” Duke ngritur supet, ajo shtoi: “Pesë vjet më parë fëmijët e mi ishin shumë të vegjël, unë vrapoja pas organizatave, përpiqesha të punoja, vetëm për pak para. E kuptova se nuk po përfitoja gjë prej kësaj dhe kështu u largova.”
Ndërkohë që disa gra si Lorida mezi po ia dilnin, të tjera ndërtuan karrierë brenda kësaj ekonomie-hije të re. Një rast i tillë ishin të ashtuquajturit “ndërmjetës” – përfaqësues të grupeve në nevojë, të cilët thirreshin sapo mbërrinin ndihmat, që të ndihmonin përsa i përkiste vendosjes së mënyrës se si do të ndaheshin mallrat dhe shërbimet. Ndërmjetësimi ishte punë me përgjegjësi dhe ndonjëherë, e vështirë për t’u rezistuar mundësive për përfitim. Irida, një grua trupmadhe, kaçurrelat e dendura ngjyrë gështenjë të së cilës i rrethonin tiparet e buta të fytyrës, përmendi një ngjarje me një organizatë grash, e cila kishte si qëllim t’u siguronte 200 euro familjeve të vobekta. Emri i saj kishte qenë në listë, por si të gjitha gratë e listuara mori vetëm 10 euro. Duke qeshur me cinizëm teksa solli ndërmend këtë situatë të çuditshme, ajo tha: “Disa ditë më vone, erdhi dikush nga organizata dhe donte të dinte a e vlerësova ndihmën bujare prej 200 eurosh. Unë thjesht e pashë e habitur.”
Historia e Iridës nuk ishte e jashtëzakonshme. Kam dëgjuar dhe kam qenë dëshmitare e shumë situatave të ngjashme që përfshinin koshere bletësh, makineri për ajvar, kompjutera për fëmijët, mbulesë për sera dhe vende pune që prodhonin të ardhura – të gjitha të shpërndara në formë të pjesshme ose të përqendruara në veç disa qarqe sociale, duke i lënë të tjerë po aq nevojtarë, duarbosh. Në vështrim të parë veprime të tilla mund të duken të kundërshtueshme dhe moralisht të diskutueshme, por unë dua të bëj një hap pas në përpjekje për t’i kuptuar brenda kontekstit më të gjerë humanitar ku veprime të tilla mund të jenë të nevojshme ose ndofta të përshtatshme dhe realiste. Më tej, do tregoj se këto akte tregojnë më pak për marrësit e ndihmave, karakterin e tyre dhe veprave të tyre, dhe më tepër për natyrën dhe të metat e vetë ndihmës humanitare.
Humanitarizmi dhe dështimi për të imagjinuar të një jete të mirë
Ndërsa humanitarizmi është një ideal, ai nuk është kurrë i drejtpërdrejtë në praktikë. Shembujt më sipër kanë bërë të dukshme që ai bashkon vlera dhe praktika në dukje kontradiktore deri në të papërshtatshme. Ai ndërthur me mjeshtëri solidaritetin, bamirësinë dhe drejtësinë me pabarazinë, oportunizmin dhe tregtinë. Brenda këtij konteksti, unë argumentoj se veprime të tilla si keqpërdorim dhe korruptim bëjnë pjesë te e njëjta logjikë si nocionet e dashamirësisë dhe altruizmit.
Megjithëse këto tensione formojnë një pjesë të qenësishme të “sjelljes humanitare”, ato janë rrallë të pranuara hapur pavarësisht faktit që janë gjerësisht të njohura. Përkundrazi, kësi “njohurish të parehatshme”[4] janë të redaktuara nga diskursi publik, pasi perceptohet në kontradiktë me idealet humanitare dhe destabilizon proceset që drejtojnë shpërndarjen e ndihmave drejt individëve dhe komuniteteve në nevojë. Përkundrazi, shkëmbehen me zë të ulët, si sekrete të hapura, midis dhënësve të ndihmës, marrësve të ndihmave dhe vëzhguesve që shohin skenarët humanitarë të shpalosen mes tyre. Arsyet për këtë janë të dyfishta. Së pari, duke kthyer njohuritë e parehatshme në sekret të hapur, ato fitojnë vlerë për marrësit potencialë të ndihmave. Mund të shkëmbehen për mundësi punësimi dhe akses në burimet, dhe mund të përdoren si formë e kontrollit social për të mbajtur të tjerët nga përfitimi i tepruar nga ndihmat me anë të fajit dhe shantazhimit. Së dyti, i lejon dhënësit e ndihmës të maskojnë të metat e mjetit të ndihmës humanitare duke fajësuar disa “mollë të prishura” që ndalin suksesin e ndërhyrjes humanitare. E sërish, në vend që t’i çrrënjosin, dhënësit e ndihmës marrin pozicionin e të moralshmit, duke folur për veprime si keqpërdorimi dhe korruptimi si “akte mosmirënjohjeje” përballë vlerave më të larta si zemërgjerësia, bamirësia dhe dashamirësia.
Arsyeja e këtij pozicionimi në vend të masave ndëshkuese është se të gjithë të përfshirët e dinë thellë thellë se keqpërdorimi dhe korruptimi nuk janë “akte mosmirënjohjeje”, por shprehje e një zhgënjimi. Zhgënjimi prej detyrimit për t’u dukur mirënjohës, me meritë dhe të virtytshëm për t’u ndihmuar, që nuk është asgjë më tepër se një ankeplast mbi një plagë plumbi. Dhe kjo për ndihma që përbëhen nga 200 euro këtu e atje, disa koshere bletësh, disa sera, kompjutera të dorës së dytë dhe sende të këtij lloji.
Askush nuk mund të arsyetojë se gjeste të tilla mirësie kanë fuqinë të bëjnë një diferencë të thellë në jetët e njerëzve. Në vend të kësaj, janë një dështim i imagjinatës – një dështim për të imagjinuar si një jetë e mirë, me dinjititet dhe në lulëzim mund të duket. Rrjedhimisht, do ishte gabim ta mendonim keqpërdorimin dhe korrupsionin e përditshëm si vetëm egoist dhe të paarsyeshëm. Ato janë edhe përgjigje të përshtatshme, realistike dhe produktive. Ajo që dua të them këtu është se, është falë këtyre veprimeve, dhe jo pavarësisht tyre, që marrësit e ndihmës arrijnë të krijojnë ndryshimin social që vetë mjeti i ndihmës e ka të pamundur ta arrijë. Është nëpërmjet këtij produktiviteti që njerëzit prodhojnë mundësi, prishin kufijtë gjinore, shtyjnë gratë në role drejtuese, krijojnë ide të reja biznesi (që nuk ishin aspak të synuara nga kushdo që i dhuroi të mirat), dhe ndërtojnë marrëdhënie dhe rrjete të reja midis njerëzve të pozicioneve të ndryshme. Thënë ndryshe, duke i ripërdorur të mirat e limituara të ndihmave dhe duke ndërtuar marrëdhënie të reja, hapësira të reja mundësish[5] për jetë dhe shansesh të reja shfaqen midis komuniteteve në nevojë.
Autorja: Hanna Kienzler
Më shumë histori në blogun tim: SymptomSpeak
Më ndiq në twitter: @symptomspeak
Në Facebook: @SymptomSpeak2018
Përkthimi nga: Adela Radovani
[1] Kienzler, H., & Pedersen, D. (2012). Strange but common bedfellows: The relationship between humanitarians and the military in developing psychosocial interventions for civilian populations affected by armed conflict. Transcultural Psychiatry, 49(3-4), 492-518.
[2] Fassin, D. (2011). Humanitarian reason: a moral history of the present. University of California Press.
[3] Të gjithë emrat janë pseudonime
[4] Rayner, S. (2012). Uncomfortable knowledge: the social construction of ignorance in science and environmental policy discourses. Economy and Society, 41(1), 107-125.
[5] Inspired by Povinelli, E. (2011). Economies of abandonment. Social belonging and endurance in late liberalism. Durham & London: Duke University Press.
Leave A Comment