Histori nga Kosova

Bazuar në dëshmitë intime të grave që i mbijetuan Luftës së Kosovës, këtu do të përpiqem të zbuloj sesi përvoja e të jetuarit në një prej momenteve më të errëta të historisë së këtij vendi ka ndikuar në jetët e tyre. Këto histori unike e të fuqishme na tregojnë mbi mizoritë masive, përzënien dhe humbjen, mbi dhunën, vështirësitë dhe tmerrin, si dhe mbi mjerimin, mbijetesën dhe shpresën. Ato nuk na tregojnë vetëm gjërat që dimë apo nocionet e zakonshme të historisë kombëtare që përsërisim vazhdimisht. Në të kundërt, këto gra në mënyrë të guximshme i vejnë në diskutim këto lloj kornizash, duke sjellë në dritë versione të fshehura apo të hedhura poshtë të së shkuarës së vendit të tyre, të një sistemi politik të brishtë, dhe të së ardhmes së mundëshme si Shtet i pavarur.

Historitë mbi luftën në Kosovë qarkullojnë në mënyrë konstante atje. Të gërshetuara nëpër biseda të përditëshme, ato ndahen dhe përkujtohen mes të mbijetuarve, transmetohen nga një brez në tjetrin, ose u tregohen studiuesve si unë, që nuk e kanë jetuar vetë atë lloj dhune e vështirësie. Këto histori bindëse u mblodhën në kuadër të një projekti antropologjik mbi ndikimin diferencial të luftës dhe traumës mbi gratë kosovare nga dy fshatra, Krusha e Madhe dhe Pastaseli. Për rreth një vit (2007-08) jetova në Krushë me një vejushë lufte e fëmijët e saj dhe u adoptova në atë familje si bija e tyre. Që prej asaj kohe, kthehem çdo vit në ato dy fshatra për të marrë pjesë në jetët e përditëshme të atyre njerëzve.

Historitë janë grupuar në tre kategori, me qëllimin për të nxjerrë në pah kujtimet kolektive të grave mbi luftën dhe vështirësitë e mbijetesës, shprehitë e mishëruara të ankthit dhe çfarë u duhet të kalojnë për të shëruar plagët e brendëshme të luftës.

“Kujtimi i luftës dhe vështirësive” merret me kujtimet e jetës së tyre gjatë luftës. Këtu hulumtoj përvojat intime të grave, e në ndonjë rast të veçantë, të burrave, me ngjarjet e tmerrshme, mënyrat sesi e shkuara bashkëndahet, kundërshtohet apo rishikohet, dhe si këto shqyrtime ndërthuren në jetët aktuale individuale e ato në bashkësi, përmes rrëfenjave dhe veprimeve të zakonshme të jetesës.

“E folmja Përmes Dhimbjes” hulumton shprehitë e mishëruara të së shkuarës dhe vlerësimet e mendimet mbi vështirësitë e brengat e së tashmes. Këto histori nxjerrin në pah mënyrat sesi shqiptarët e Kosovës i shprehin ngjarjet e dhimbshme përmes një gjuhe të mishëruar, simptomspeak – simptomëfole/simptomaflet, që e kanë të përbashkët, që përcjell mesazhe kritike për të shkuarën, e, përmes saj, për të tashmen dhe të ardhmen, të cilat do të kishin qenë të vështira për t’u dëgjuar, për të mos thënë, të pamundura.

“Sferat e shërimit” i ndjek gratë nëpër klinikat profesionale të shëndetit e nëpër shërues tradicionalë, për të hetuar sesi pritet simptomëfolja e tyre, si interpretohet e negociohet në ato që unë i quaj kontekste publike alternative.

Brutaliteti i Luftës së Kosovës

Për të rrokur sa më mirë historitë e këtyre grave do të na ndihmonte të prezantonim një sfond të përgjithshëm të Luftës së Kosovës. Shqiptarët e Kosovës nisën të kërkojnë pavarësinë që pas vdekjes së liderit të Partisë Komuniste Josip Broz Tito (8 maj 1980), pas dy dekadash shtypjeje nga Serbia. Gjithsesi, nismat e tyre politike u shtypën në mënyrë brutale kur Serbia i shpalli luftë Kosovës në 1998, që rezultoi në vrasjen e mbi 10 000 njerëzve, ku pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptarë të Kosovës, të vrarë nga forcat serbe. Për më tepër, 90% e popullsisë u zhvendos, ku 863 000 civilë i përzunë me forcë si refugjatë jashtë Kosovës dhe 590 000 u zhvendosën brenda saj.

Gjatë luftës ndodhën rregullisht tortura, grabitje, shkatërrime e zhvatje. Më shumë se 3000 shqiptarë të Kosovës, pjesa më e madhe e tyre meshkuj, por edhe gra e fëmijë, u zhdukën nga policia, paramilitarët dhe forcat ushtarake serbe. Pjesa më e madhe e tyre nuk u kthyen gjallë në shtëpi; madje pjesë të eshtrave të tyre ende vazhdojnë të zbulohen ndër varret masive kudo nëpër Serbi e Kosovë. Përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale u përdorën gjatë luftës si instrumente strategjike terrori, për të përdhosur trupat e individëve dhe për të minuar me dashje hapësirën morale dhe lidhjet komunitare, e për të dobësuar rezistencën ndaj agresionit. Grupe grashë shqiptare të Kosovës u mbajtën forcërisht për ditë të tëra në bastionet serbe apo në vende publike, për të pastruar e gatuar, duke duruar përdhunimin dhe forma të tjera të abuzimit nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Numri i saktë i viktimave të përdhunimit dhe sulmeve seksuale është i kontestueshëm, për shkak të ngurimit të të mbijetuarave për të folur, nga frika e stigmatizimit dhe ndëshkimit.

Heshtja e tyre më nxiti të hetoj se si gratë shqiptare të Kosovës, banuese të zonave rurale, e kanë përjetuar luftën dhe pasluftën. Kërkimin etnografik e përqëndrova në fshatrat Krushë e Madhe dhe Pastasel, të cilat u shkatërruan thuajse tërësisht dhe ranë pre e masakrave masive. Gjatë luftës, mes datave 24 dhe 27 mars 1999, fshati Krushë e Madhe u sulmua intensivisht nga ushtria serbe, forcat paramilitare dhe civilët e armatosur serbë. 241 banorë humbën jetën, mes të cilëve pesë gra, shtatë fëmijë dhe shumë të moshuar.

Ndërsa popullsia që i mbijetoi sulmit u arratis për në Shqipëri, serbët shkatërruan 790 shtëpi, dogjën xhaminë e qendrën kulturore, shkatërruan shkollën dhe një sërë monumentesh historike. Një tjetër masakër e madhe u krye nga forcat serbe në fshatin e largët Pastasel në 31 mars 1999. 120 burra i ndanë nga gratë e fëmijët e tyre, i keqtrajtuan dhe i vranë me mitraloz. Kësaj masakre i shpëtuan 13 burra, por të plagosur rëndë. Gratë dhe fëmijët u dërguan në këmbë për Shqipëri nga forcat serbe, ndërsa pjesa më e madhe e shtëpive dhe stallave të tyre u dogjën, veglat bujqësore u shkatërruan ndërsa bagëtia u vra.

Këto ngjarje krijojnë sfondin për rrëfime të fuqishme intime të grave mbijetuese të Krushës së madhe e Pastaselit. Pikërisht këto lloj historishë dhe rrëfyeset e tyre i tregoj këtu, në këtë blog.

Histori të Mishëruara Mbi Dhimbjen dhe Vështirësitë

Pse e quaj blogun Simptomspeak? Përgjatë këtij studimi mësova se përvojat e dhunës shpesh nuk mund të thuhen me fjalë. Ndonjëherë nuk ka fjalë mjaftueshëm të forta e të sakta që të mund të përcjellin plotësisht përmasat e jashtëzakonshme të asaj që individët kanë përjetuar apo dëshmuar. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë forma të tjera alternative për t’i shprehur ato.

Mes grave të Krushës dhe Pastaselit zbulova një gjuhë unike simptomatike me të cilën ato na komunikojnë dhimbjen dhe vuajtjen e tyre. Këtë gjuhë e kam quajtur “Symptomspeak – Simptomëfolja/Simptomaflet”. Simptomat i kuptoj si diçka më shumë sesa thjeshtë dukuri trupore e mendore, rrethana apo kushte që rrjedhin apo shoqërojnë sëmundjet e ndjenjat (siç mund të sugjerojë Fjalori Anglisht i Oksfordit). Më shumë se kaq, ato bëjnë bashkë dhimbjet fizike e emocionale me sëmundjet politike e shoqërore. Me folje/flet kuptoj veprimin e përcjelljes së informacionit, pikëpamjeve e ndjenjave në ndërveprim me të tjerët. Historitë dëgjohen e përjetohen prej të tjerëve pikërisht përmes këtyre ndërveprimeve verbale, përshfaqëse e të mishëruara (pra të integruara në të gjitha këto elemente). Gratë me të cilat jetova flisnin përmes trupave dhe përvojave personale si përgjatë luftës, ashtu edhe në të tashmen e pasigurtë. Përmes këtij mediumi ato më treguan mbi të shkuarën e afërt të vendit të tyre, mbi agjendat e tashme politike e ekonomike lokale, kombëtare e ndërkombëtare, si dhe mbi hierarkitë dominuese të pushtetit.

Për ta kuptuar këtë gjuhë, vëzhgova dhe i vura veshin shprehive të dhimbshme të këtyre grave teksa zbuloheshin para meje ditë pas dite, që reflektoheshin mbi grupe të ndryshme njerëzish, përfshirë edhe ato gra vetë, por edhe mbi fshatarët e tjerë, dhënësit e ndihmës, si dhe profesionistët e shëndetit, përfshi këtu edhe shëruesit tradicionalë. Vëzhgimi i zbulesës së simptomave kërkon durim, sepse vuajtja – ndryshe nga sa mendohet – nuk shprehet në mënyrë dramatike, e as në momente të mirëpërcaktuara. Ajo është një përvojë e jetuar që komunikohet në mënyra jospektakolare. Kjo për mua do të thoshte se duhej të merrja pjesë në përditshmëri pa u dremitur nga ritmi i punëve të shtëpisë, të atyre bujqësore, nga vizitat, ndjekja e TV (nëse kishte drita)…. por të kapja momentet kur shpreheshin shqetësime dhe nervozizmi, të thurura nëpër narrativa dhe të shkëmbyera mes trupave në çaste të zakonshme. Tregimi i historive këtu më lejon të hulumtoj versionet e realitetit që zhvillohen në cepat e shoqërisë kosovare dhe të hetoj mënyrat sesi ato vënë në diskutim, kërcënojnë dhe ndryshojnë status quo-në.

Lexuesit e mi

Këtë blog e kemi krijuar për një audiencë të gjerë, e veçanërisht për ata që kanë interes të dinë mbi përvojat e luftës dhe pasluftës, për vuajtjen dhe shëndetin mendor, si dhe për shërimin. Blogu do të arrijë edhe te ata që interesohen për historinë dhe kulturën e Europës Juglindore, e veçanërisht për Kosovën.

Ky blog u shërben studiuesve të fushës së antropologjisë, por edhe atyre të psikiatrisë transkulturore, shëndetit publik, studimeve gjinore, studimeve të zhvillimit dhe fushave të tjera të shkencave shoqërore. Ai do t’u shërbejë edhe studentëve të psikiatrisë dhe kulturës, që merren sidomos me shëndetin mendor në kontekstet kulturore, me luftën, gjininë e shëndetin, si dhe me vuajtjen shoqërore dhe shprehjet lokale të ankthit.

Për punonjësit e shëndetësisë ky blog do të mundësojë një të kuptuar të thellë mbi shprehjet e ankthit dhe mënyrat sesi ato u japin formë trajektoreve të shëndetit dhe kërkesave për kujdes në shoqëritë pë kanë kaluar luftra e konflikte të armatosura. Punonjësit e shëndetësisë gjithnjë e më shumë po përballen me klientë nga zonat e luftës nëpër glob, ndaj një e kuptuar e tillë e nuancuar e shëndetit mendor dhe vuajtjes shihet si kyç për të dhënë trajtimin dhe mbështetjen e duhur.

Mbi veten

Si antropologe me përvojë të gjatë në fushën e shëndetit global, unë hulumtoj sesi dhuna sistematike, konflikti etnik dhe emergjencat komplekse ndërthuren me pasojat në shëndet dhe shëndetin mendor. Unë kryej kërkim etnografik mbi impaktin e luftës dhe traumës mbi gratë në Kosovë; mbi atë, se çfarë do të thotë për një person me probleme të shëndetit mendor të jetojë dhe marri pjesë në komunitet; si dhe mbi ndërhyrjet humanitare dhe në shëndetin mendor në shtete të brishta.

Momentalisht punoj si profesore e asociuar në Departamentin e Shëndetit Global dhe të Shëndetësisë Sociale në King’s College London. Kam doktoruar për antropologji mjekësore e kulturore pranë Departamentit të Antropologjisë dhe Studimeve Sociale të Mjekësisë, në Universitetin McGill. Kam fituar dy grante të rëndësishme, çmimin Ëelcome Trust Collaborative Award për të hulumtuar mbështetjen me bazë komunitare për personat me probleme të shëndetit mendor në Palestinë, Gana dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe grantin RCUK për të ndërtuar kapacitete kërkimoro-shkencore në fushën e shëndetit mendor në zonat konfliktuale të Lindjes së Mesme, me fokus të veçantë mbi Palestinën. Vazhdoj të kem interes akademik dhe personal mbi Kosovën, duke mbledhur histori mbi dhimbjen dhe politikën gjatë vizitave të mia të përvitshme atje, duke bashkëpunuar me studiues kosovarë mbi projekte kërkimore-shkencore dhe duke botuar përsiatjet e mia nëpër forumet akademike, e tani, duke shkruar këtë blog.

Kontakti

Për pyetje, komente apo sygjerime, shkruani në: hanna.kienzler@gmail.com

Për historitë më të reja të botuara në Symptomspeak, ndiqni:

@symptomspeak
Symptomspeak