Jetë në rrënoja

Pas një dite të gjatë duke qëruar speca dhe gatuar ajwar në oborr, Arieta m’u bashku në shilte, një dyshek sfungjeri të hapur në verandë. Ndërsa merrnim rrezet e fundit të pasdites, Arjeta reflektonte mbi punën e ditës dhe shpresat që ka ushqyer për fabrikën e vogël të specave që po ndërtonte. Tundi kryet dhe psherëtiu, “S’do muj ta kisha mendue këte do vite ma para…” Vetëm dy vite më parë, një organizatë humanitare kishte mbledhur një takim me të tjera gra të ve nga lufta në zonën e saj për të ngritur një biznes që do përpunonte speca me qëllim tregtimi. Që nga ajo kohë, zona e banimit të Arietës u kthye në një vend me gjallëri, ku gratë bashkoheshin për të pastruar, prerë, gatuar dhe konservuar speca, për t’i shitur prodhimet e tyre dhe për të bërë plane biznesi. Ishte një kontrast i thellë nga vendi i zisë që kishte qenë më para. Ndërsa flisnim, Arieta reflektonte mbi këto ndryshime dhe ndërkohë, gradualisht u zhyt thellë e më thellë në të kaluarën, duke iu afruar ditës kur ishte kthyer në zonën e saj të banimit nga streha në Shqipëri, pas luftës në Kosovë në verën e vitit 1999.

Së bashku me tre djemtë e saj dhe vjehrrit, Arieta iu bashkua mijëra refugjatëve të tjerë që u kthyen në shtëpitë e tyre në Kosovë(2). Ajo ende mbante shpresa se do e gjente të shoqin dhe djalin e madh gjallë. Pas mbërritjes në kufirin shqiptaro-kosovar, dhe si pa ushtarët e KFOR-it dhe tanqet e tyre, ajo nuk i mbajti dot më emocionet. Arieta më sheh ndërsa thotë, “Nisa me kja pri gzimit. E dijsha që dëshira e tim biri ish plotësue. Kosova ishte e lirë.”

Duke ndjekur rrugën e bombarduar, duke kalu fshatrat e plaçkituna e të shkatërrume, ata më në fund arritën në Krushë. Kishte ra errësira kur arritën në lagjen e vjehrrisë së Arietës, e cila qe kursy nga shkatërrimi.(3) Pas një nate të shqetësuar, Arieta u çu prej shtrati dhe eci jashtë në oborr. Iu kujtua era e tmerrshme që e kishte përshëndetur atë mëngjes. Era e trupave të vdekur. Duke u dridhë nga kujtimet, ajo më tregon, “Brenda një shtëpie fqinje gjashtëdhjetë e katër njerz ishin djegë gjallë. Kur dola jashtë n’oborr, kam pa do gjerman tu punu në qat’shpi, me maska e kmisha t’bardha. Erë e gërditshme.” Ndërsa ekipi mjeko-ligjor po punonte në shtëpinë fqinje, Arieta mori do sende personale dhe eci përgjatë rrugëve të djegura të lagjes së saj. Ajo nuk ishte e sigurt se çfarë do gjente atje kur të arrinte. Me lot që i rridhnin në faqe, pëshpëriti, “Kur mrrita, pashë qi çdo gja kish kanë djegë, shpia, traktori, tana. Gjeta një kupë plastike dhe trenerkat e djalit. I mora dhe i kam rrokë.”

Duke pulitur sytë në diellin e mbasdites, me lotët që i ndrinin në sy, asaj i kujtohet skena. Serat e bashkëshortit ishin djegur e shkatërruar, ndërsa mjetet e punës ishin aty ku i kishin lënë. “Tu kuptu gjithë ç’ka kish ndodhë, thashë veç “O Zot!” dhe kam ikë.” Në vend që të vraponte drejt shtëpisë së vjehrrive, ajo lëvizi bashkë me vejushat e tjera që jetonin te kompleksi. Ndihej më e kuptuar mes tyre. “Ne ndanim të njajtat halle.” shpjegon Arieta. “Kjanim bashkë për të dekunit tanë. Te shpia tjetër kishim mendjen te ç’ka kishim humbë, po kjo, po kjo tjetra. Ishte diçka krejt ndryshe.” Të bashkuara nga humbja dhe hidhërimi, gratë mbështetën njëra-tjetrën për të krijuar streha të improvizuara ku do të jetonin dhe ekzistonin pavarësisht vuajtjes. Arjeta mori borxh një shporet, një sobë, nga një mik që ishte ende në Shqipëri, i kërkoi fqinjëve një tenxhere dhe katër lugë, tha “Bismillah” për të nënvizuar fillimin e një përpjekjeje të re.(4)

Historia e Arietës ngjan me shumë histori të tjera që kam dëgjuar prej grave, të cilat tregonin se sa e vështirë ishte të rifilloje jetën midis rrënojave të luftës, ndërsa përpiqeshin të mbijetonin ditë pas dite. Selvetja më përshkruante një ndjesi çorientimi ndërsa po ecnim përgjatë rrugës me pluhur të fshatit, duke thënë, “Kur u kthyme, kena ecë në rrugët e shkatërrume me thmitë. Ishim veç gra e thmi. Nuk kishim kurrgja e s’dijshim ku me shku.” Lorida shpjegoi, “Shpia ish djegë dhe shkatërru komplet. Gjetme strehë në një tip stalle. Frynte era e pikonte shiu, burrin e kisha shumë smutë.” Dhe Marigona më tregonte me hidhërim, “Ata na dogjne shpitë, na vranë qejtë dhe kur u kthyme, nuk kishim ku me nejtë. Kishin shkru “Srbia, Srbia, Srbia” në muret e shpisë sonë.” Vendet që dikur kishin qenë shtëpiat e këtyre familjeve ishin kthyer në guacka të pështira e të pabanueshme, pa çati, brenda të shkatërruara dhe plaçkitura, muret e përdhosura me grafiti dhe të ndotura me feçe.

Në fillim shumica e grave u ndjenë të paralizuara nga përmasat e shkatërrimit dhe ndjesinë e njëkohshme të shpresës dhe humbjes së shpresës që do i ritakonin pjesëtarët e humbur të familjes. Sidoqoftë, jeta vazhdoi. Gratë që mbartnin njohuri të papërballueshme dhe pikëllim, i gjenin vetes punë duke bërë të përditshmen të jetueshme sërish. Ishte kështu, me vështirësitë e përditshme dhe punën sistematike që mundësitë e reja jo vetëm u imagjinuan, por dhe u krijuan. E përditshmja nisi të ndodhte si rutinë.(5) Ndërtimi i strehave, të gatuarit e vakteve, kujdesja për fëmijët, të gjitha u duk se ndodhnin pa vështirësi e në të njëjtën kohë duke përfshirë vendosmëri të madhe, pasiguri dhe shpesh frikë.

Gratë ndiheshin të pasigurta, pavarësisht mbrojtjes dhe ndihmës ushtarake që filloi të derdhej në fshatin e tyre, duke siguruar materiale ndërtimi dhe ndihme të parë në formë ushqimi, rrobash, ilaçesh dhe mjetesh shtëpiake. Për shumicën e grave, sidomos për ato me burra të vrarë ose të zhdukur, ishte një eksperiencë krejt e re, duke marrë vendime për familjet e tyre dhe duke bashkëpunuar me të huaj, shumica e të cilëve ishin burra. Arieta kujton sesi ushtarë danezë të KFOR-it erdhën për të kontrolluar kushtet e saj të jetesës. “Pashë ushtart danez tu u afrue. Kaq frikë i kisha, prej lufte, p’e din, sa kam hikë.” Ushtarët pritën derisa ajo u kthye. Duke tundur kryet, Arieta thotë: “Erdhne te shpija për me ndërtu strehë për mu – nji kjo shpi ku po rrimë tesh. Kur erdhne, i pveta çka dojshin se isha frigue. Kur m’thanë se dojshin me ndërtu shpi për mu, i kam pyt e habitun, “Çfarë shpiet?”. Unë kisha dashtë me riparu shpinë që ishte djegë. Ata më thanë që s’mund me e riparu se kishin llogaritur koston dhe dilte tepër e naltë.”

Arjeta e pranoi ndihmën e tyre dhe jetoi me vite në shtëpinë e vogël me një dhomë, bashkë me djemtë e saj dhe vjehrrën e moshuar. Ajo e dinte se nëse donte ta rindërtonte shtëpinë e saj, duhet të përvishte mëngët dhe të punonte fort. Bashkë me djemtë, ajo punoi tokën, rindërtoi serat e bashkëshortit, u regjistrua në projektet e zhvillimit dhe aplikoi për grante. Ajo e rindërtoi shtëpinë e saj tullë pas tulle, e riimagjinoi dhe rikrijoi jetën e saj në mbetjet e rrënojave të luftës.

Autorja: Hanna Kienzler

Përkthimi nga: Adela Radovani

[1] Të gjithë emrat janë pseudonime për të mbrojtur identitetin e njerëzve.

[2] Gjatë luftës, shumica e refugjatëve, 300 mijë nga 480 mijë refugjatë ishin arratisur në Shqupëri kur kishin përfunduar në shtëpi mikpritëse dhe kampe. Por sapo thirrja riatdhesuese nisi, njerëzit nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Kosovë me ritme nga 20mijë në 30mijë në ditë.

[3] Shih edhe: Përkujtimore: Masakra e Krushës së Madhe

[4] “Bismillah” është një shprehje arabe që do të thotë “në emër të Zotit”. Është fjala e parë në Kuran dhe i referohet fjalës hapëse së Kuranit. Në gjuhën e përditshme shprehja përdoret për të caktuar nisjen e një detyre të re ose një përpjekjeje.

[5] Koncepti i “çdo dite” dhe potencialit të saj janë të frymëzuara nga veprat e Veena Das dhe Elizabeth Povinelli.

Share This Post